Sport

Roma pas kapitenit të AZ Alkmaar-it


Roma e sezonit të ardhshëm pritet të ndryshojë jo pak fytyrën nën urdhërat e trajnerit të ri, Jose Mourinho-s. Së fundmi, mediat italiane raportojnë se verdhekuqtë janë duke kërkuar shërbimet e kapitenit të AZ Alkmaar-it, Teun Koopmeiners-it.

Koopmeiners është një emer jo shumë i njohur në arenën ndërkombëtare të futbollit. Roli që ai ka në fushë është mesfushor shkatërrues dhe është 1.83 metër i gjatë.

Që nga tetori i 2020, ai është pjesë e Kombëtares së Holandës, me të cilët është aktivizuar vetëm një ndeshje. Gjithashtu, ai do të jetë pjesë e Holandës në Euro 2020, pasi është një nga 26 të përzgjedhurit e trajnerit Frank de Boer.

23-vjeçari është produkt i ekipeve zinxhre të AZ Alkmaar-it dhe në 2017 kaloi në ekipin e parë. Sezoni 2020/21 ka qenë më i miri në karrierën profesioniste të Koopmeiners-it. Ai u aktivizua në 40 ndeshje, ku shënoi 17 gola dhe dhuroi shtatë asiste.

Koopmeiners-i është nën kontratë me AZ Alkmaar-in deri në 2023 dhe kartoni i tij vlerësohet rreth 18 milionë euro. Sipas mediave gjermane, trajneri i ri i Bayern Munich-ut, Julian Nagelsmann-i, gjithashtu është i interesuar për të marrë shërbimet e holandezit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore