Lajme

Republika Srpska në BeH diskuton vendosjen e vetos për heqjen e regjimit të vizave me Kosovën


Milorad Dodik

Këtë të marte deputetët e Asamblesë Kombëtare të Republika Srpska-s në Bosnje e Hercegovinë, do të diskutojnë për propozimin e Veto-s së anëtares së Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviç, si një mundësi kushtetuese për të çimentuar Marrëveshjen për Lëvizje të Lirë në kuadër të Procesit të Berlinit, ujdi nga e cila përfitojnë qytetarët nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.

Inicimi i vetos kundër heqjes së regjimit të vizave, i cili prej vitesh po rëndon banorët nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, sipas Cvijanoviç, ka të bëjë me përshkallëzimin e krizës në Veri të Kosovës dhe pretendimit të saj se “regjimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk meriton përfitime”.

Iniciative e Cvijanoviqit u mirëprit nga shefi i partisë së saj dhe presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, i cili theksoi duke theksuar se ajo është “përgjegjëse për mbrojtjen e pozicioneve të RS-së dhe se Asambleja Kombëtare do ta mbështesë atë me një shumicë prej dy të tretash”.

Kushtetuta e Bosnje e Hercegovinës përcakton se një anëtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës mund ta shpallë një vendim të Presidencës, me të cilin nuk pajtohet, shkatërrues për interesin jetik të subjektit për territorin nga i cili është zgjedhur.

Në këtë rast, Kushtetuta parashikon që Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska të iniciojë veton dhe nëse merr mbështetjen e deputetëve, konkluzionet e Presidencës nuk do të kenë efekt.

Në mënyrë që iniciativa e vetos e Zheljka Cvijanoviqit të “jetësohet”, duhet të mbështetet nga dy të tretat e përfaqësuesve të Asamblesë Kombëtare të RS-së, pra 56 nga gjithsej 83.

Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviç, në një përgjigje për Radio Evropën e Lirë tha se në rast se Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska e mbështet veton, “marrëveshjet e Procesit të Berlinit do të bien”.

Njëra nga tri marrëveshjet për lëvizjen e lirë në Ballkanin Perëndimor, të cilat u nënshkruan në nëntor të vitit 2022 si pjesë e procesit të Berlinit, i referohet lirisë së lëvizjes vetëm me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa dy marrëveshjet tjera janë për njohjen e diplomave të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të doktorëve të mjekësisë, doktorëve të stomatologjisë dhe arkitektëve.

Megjithatë, politikanët nga Republika Srpska refuzojnë ratifikimin, edhe pse ish-kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, i cili është anëtar i partisë së Dodikut, ishte një prej nënshkruesve të atij dokumenti në Berlin, vitin e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore