Shqipëria

Raportet financiare, “thembra e Akilit” për politikën shqiptare


Me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), radha u takon subjekteve politike dhe kandidatëve përkatës për të dorëzuar raportet financiare pranë këtij institucioni.

Çka do të thotë se të ardhurat dhe shpenzimet e tyre do të bëhen publike, duke përmbushur kështu detyrimin kushtetues dhe ligjor. Ky dorëzim duhet të kryhet brenda një afati kohor 60-ditor.

Por, si do të kryhet ky proces dhe çfarë rëndësie ka ai?

Vildan Plepi, nga Instituti Demokratik Shqiptar (NDI), ka treguar për Albanian Post se tema e raportimit financiar është tejet me rëndësi, pasi aty qëndron “thembra e Akilit” dhe se është e lidhur ngushtë me gjithë korrupsionin që krijohet më pas.

“Kjo pasi, nëse në zgjedhje një parti politike apo kandidatë të caktuar blihen apo financohen nga individë me para, këta individë i kanë bërë këto harxhime në fushatë për një qëllim të caktuar, ose për një interes. Nuk është thjesht çështje e ‘dashurisë’ për partinë financimi”, thotë eksperti.

Ai thotë se nga këtu fillojnë dhe ngjizen “prapësitë” që do të ndodhin më pas.

“Kur një parti vjen në pushtet dhe ajo është blerë nga një apo më shumë individë, ajo do të jetë e detyruar t’u përgjigjet atyre, sepse i kanë financuar fushatën dhe i kanë mundësuar edhe fitoren”, sqaron Plepi.

Nga ana tjetër, ai vë në dukje se media nuk i ka kushtuar mjaftueshëm vëmendje kësaj teme, përpos viteve të fundit që është parë njëfarë përmirësimi në këtë drejtim.

“Një nga kapitujt e Kodit Zgjedhor që ka ndryshuar më së shumti vitin e kaluar ka të bëjë me pjesën e financimit të partive politike. Ndryshimet që kanë ndodhur, kanë përfshirë disa elementë ku për herë të parë u pa e arsyeshme të përfshihej detyrimi për raportimin nga vetë kandidatët”, ka dalluar eksperti.

Pra, në bazë të rregullimeve të vjetshme të Kodit Zgjedhor, vetë kandidatët e listave shumë-emërore apo ata të pavarur, kanë detyrimin për raportim ngjashëm siç e kanë partitë.

Duke vijuar se kjo ka ardhur pasi nuk mund të kuptohet raportimi financiar i një partie politike, kur vetë kandidatët që bëjnë fushatën apo një pjesë e mirë e tyre që hedhin para pafund nuk kanë ndonjë obligim për raportim.

Sipas tij, mungesa e këtij raportimi të vet kandidatëve e bën raportimin diçka pa vlerë, raportimi ka vlerë kur përfshihen në të jo vetën partitë, por edhe kandidatët.

Prandaj dhe ai e gjykon ndryshim si tejet të rëndësishëm.

“Pati edhe rregullime të tjera. Si për shembull u ul pragu i donacionit që mund të japë një individ i caktuar, çka ka të bëjë me raportimin dhe jo me shumën maksimale që mund të japë një individ”, ka shtuar ai.

Dhe se “është edhe rregullimi tjetër që nuk e lejon një individ të japë më shumë se një milion lekë. Pra, cilido që të jetë donatori – vetë kandidati, qytetarë, kompani, biznesmenë – kushdo që të jetë, nuk jep dot më shumë se sa kjo shumë”.

Plepi sqaron se kjo ka një logjikë, ka një parim që e udhëheq rregullimin. Dhe ai është parimi i parandalimit të konfliktit të interesit ose ndikimit të paligjshëm, “sepse nëse nuk do të kishim kufizime, pra nëse një person është donator dhe nëse nuk ka rregullime, ky person mund të japë sa të dojë”.

Ai ngre pyetjen se çfarë ndodh në këtë rast, duke sqaruar se ky donator do të përpiqet të përfitojë pasi në mes ka interesa të fuqishme financiare dhe ekonomike.

Pra, fakti që është kufizimi, limiti maksimal, ndihmon në parandalimin e rasteve të tilla.

Për rastin konkret, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga KQZ-ja, me Kod Zgjedhor nga ky moment partitë politike kanë 60 ditë kohë për të dorëzuar raportet financiare.

Eksperti tregon se brenda këtyre raporteve, të cilat do publikohen edhe në faqen zyrtare të KQZ-së, do jenë edhe raportet e vet kandidatëve që garuan në këto zgjedhje.

“Është një pjesë integrale e procesit. Vetë kandidatët dorëzojnë raportet e tyre për shpenzimet dhe donacionet që kanë marrë te kryefinancieri i partisë dhe ky i fundit kur dorëzon raportin e plotë, duhet të përfshijë edhe raportet që vijnë nga të gjithë kandidatët”, shpjegon Plepi.

Prandaj dhe “KQZ-ja duhet të jetë e vëmendshme për t’i ndjekur. Tanimë gjithçka varet nga dora e KQZ-së, sa do të jetë e rreptë dhe e aftë për të ndjekur nga afër të gjitha raportimet e bëra”, thotë ai.

Ai tregon se KQZ-ja do të duhet të fillojë me procesin e shqyrtimit të të dhënave të raporteve financiare sepse partitë politike dorëzojnë raportet, por ato edhe auditohen. Ka edhe një auditues që dorëzon një raport për partinë.

“Nëse Partia Socialiste apo ajo Demokratike dorëzon një raport, ka edhe një auditues që merret edhe me raportet e tyre, edhe me gjithë detajet që ato kanë”, thotë Plepi.

Në përgjithësi, procesi i auditimit ka qenë fiktiv, sipas tij, dhe ndoshta do vazhdojë të qëndrojë i tillë pasi është vështirë të dalë një auditues që ka vënë në dukje diçka vërtet serioze, të dalë dhe të thotë që kjo është gabim.

Megjithatë, ai nuk përjashton faktin se është një proces që do të dojë kohë të përmirësohet, pasi nuk mund të rregullohet menjëherë.

Plepi tregon se “gjatë fushatës KQZ-ja angazhoi edhe monitoruesit e fushatës, një mekanizëm që Kodi Zgjedhor ia ka dhënë të drejtën KQZ-së, të cilët thjesht dokumentuan aktivitetet e partive”.

“Ata shpërndahen në terren dhe secili ka një zonë të caktuar dhe parti të caktuar që mbulon. Më pas, KQZ-ja i merr raportet e tyre dhe paralelizon këto me raportet e dërguara nga partia”, thotë ai.

Gjithashtu KQZ-ja “sheh nëse ka të dhëna për një aktivitet të caktuar. Nëse partia ka bërë një shpenzim në një qytet të caktuar për një miting apo event, zbulon nëse është kjo në raportet që ka dorëzuar partia”.

Dhe në rastin kur nuk është, bëhet njëfarë hetimi administrativ se pse mungojnë këto të dhëna.

“Për sa u përket sanksioneve pastaj, ato janë përgjithësisht të dobëta, me gjobë. Kjo përbën edhe atë pjesë të Kodit Zgjedhor që do të kërkonte më shumë përmirësime”, ka shtuar eksperti.

Plepi e ka përmbyllur shpjegimin e tij duke ravijëzuar se pjesa më e rëndësishme pas zgjedhjeve është pa dyshim monitorimi i raporteve të dorëzuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore