Lajme

Rama kërkon nga organet e rendit që të jenë sa më prezent në hapësirat publike


Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga organet e rendit që të jenë sa më prezent në hapësirat publike dhe më vigjilent ndaj rasteve të tilla.

“Jam thellësisht i prekur nga kjo ngjarje dhe ftoj organet e rendit që të jenë sa më prezent në hapësirat publike dhe më vigjilent ndaj rasteve të tilla”, ka shkruar Rama në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai pas lajmit se një e mitur 11 vjeçare është dhunuar nga 5 persona ka kërkuar që të jetë fundi i rasteve të tilla.

“Ne duhet të bëjmë shumë më tepër për t’i dhënë fund këtyre abuzimeve të tmerrshme dhe mosndëshkimit që lejon që këto akte makabre të vazhdojnë të ndodhin”.

Rama kërkesë pati edhe ndaj udhëheqësve të institucioneve publike.

“Është koha që ne të gjithë: gra, burra, vajza, djem, dhe sidomos ne si përfaqësues kryesorë të institucioneve publike, të bashkëpunojmë që raste të tilla të mos ndodhin më”.

Ndërkaq ka shtuar se nga ky rast “nuk u abuzua vetëm një fëmijë, u turpëruam të gjithë ne si shoqëri!”.

Po ashtu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar dënim meritor për dhunuesit e vajzës 11 vjeçare.

Edhe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se nga institucionet ka kërkuar angazhim maksimal në këtë drejtim teksa ka thënë se janë arrestuar edhe dy persona të tjerë.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, ka thënë për Albanian Post se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”, si dhe ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.

Ulaj, ka theksuar se ndaj rastit të dhunimit të së miturës janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

“Ndaj rastit në fjalë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante, andaj, meqë kemi të bëjmë me procedurë për të mitur, nuk mund të japim informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë”, ka shtuar ajo.

Ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj, ndaj dy të miturëve të cili dyshohet që së bashku me katër persona të tjerë dhunuan një të mitur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore