Lajme

Kurti kërkon dënim meritor ndaj të dyshuarve që dhunuan 11-vjeçaren


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar dënim meritor për dhunuesit e vajzës 11 vjeçare.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se akte të tilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve duhet të trajtohen me seriozitet.

“Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejtë para drejtësisë, e që kryerësit të marrin dënimin meritor për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme”, ka shkruar Kurti.

Ndërkaq çështjen e dhunës ndaj vajzave dhe grave e konsideron si çështje të sigurisë publike.

“Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe mirëqenies, publike e sociale”.

Ndërkaq, ka shtuar se vajzat e mitura duhet të marrin përkujdesje maksimale dhe adekuate.

“Nuk duhet lejuar që asaj t’i vidhet fëmijëria e t’i rrënohet jeta. As asaj, e asnjë vajze tjetër. Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç dhe i të gjithëve së bashku”.

Edhe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se nga institucionet ka kërkuar angazhim maksimal në këtë drejtim teksa ka thënë se janë arrestuar edhe dy persona të tjerë.

“Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal për arrestimin sa më të shpejtë të të gjithë kryesve të këtij akti makabër dhe sapo u njoftova se janë arrestuar edhe 2 të tjerë. Koordinimi i të gjitha organeve kompetente është i domosdoshëm sepse nuk ka asnjë dilemë që dënimi ndaj këtyre kriminelëve duhet të jetë maksimal”.

Sveçla, është shprehur i shqetësuar për sigurinë e vajzave në Kosovë.

“Me shqetësim kam pranuar lajmin për dhunimin e një vajze të mitur, 11 vjeçare, nga 5 persona për disa orë me radhë. Jam i vetëdijshëm për shqetësimin e drejtë të secilit prind e secilës vajzë në vendin tonë”.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, ka thënë për Albanian Post se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”, si dhe ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.

Ulaj, ka theksuar se ndaj rastit të dhunimit të së miturës janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

“Ndaj rastit në fjalë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante, andaj, meqë kemi të bëjmë me procedurë për të mitur, nuk mund të japim informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë”, ka shtuar ajo.

Ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj, ndaj dy të miturëve të cili dyshohet që së bashku me katër persona të tjerë dhunuan një të mitur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore