Shqipëria

Rama inspekton punimet në Spitalin Infektiv në QSUT


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka inspektuar nga afër punimet për rehabilitimin e Spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës.

Rama ka theksuar se po punohet intensivisht për zgjerimin e këtij Spitali me kushtet e standardet më të mira të infrastrukturës.

“Do të përmbushim planin tonë të përgjigjes për emergjencat shëndetësore dhe transformimin e këtij spitali në një strukturë të ekselencës për sëmundjet infektive”, u shpreh Rama.

E pranishme me Ramën ishte edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Në fjalën e saj ajo u shpreh se do të bëhet një spital modern.

Nga aty si Rama ashtu dhe Manastirliu premtuan se paga për mjekët dhe infermierët do të vijojë të rritet nga viti në vit.

Kujtojmë që më 1 korrik hyn në fuqi ligji për rritjen e pagës për bluzat e Bardha.

Qeveria ka premtuar se deri në përfundim të mandatit do të ketë rritje të rrogave për mjekët dhe infermierët deri në masën 40%.

Më 23 mars ishte Manastirliu ajo që bëri me dije se në Spitalin Infektiv kanë nisur punimet për rehabilitimin e tij.

Sakaq, ky Spital ka shërbyer prej dy vitesh për të prekurit me COVID-19.

Duke e cilësuar si “spitali simbol i luftës kundër pandemisë”, Manastirliu theksoi se të prekurit me COVID-19 do të trajtohen në spitalin “COVID 3”.

Rama dhe Manastirliu e mbyllën me një mesazh: “Premtimet e dhëna po mbahen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore