Shqipëria

Mbyllet Spitali Infektiv për rehabilitim, Manastirliu: Simbol i luftës kundër pandemisë


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, mesditën e 23 marsit ka bërë me dije se në Spitalin Infektiv kanë nisur punimet për rehabilitimin e tij.

Sakaq, ky Spital ka shërbyer prej dy vitesh për të prekurit me COVID-19.

Duke e cilësuar si “spitali simbol i luftës kundër pandemisë”, Manastirliu theksoi se të prekurit me COVID-19 do të trajtohen në spitalin “COVID 3”.

Më tej, ministrja theksoi faktin se po çelet një faqe e re për zgjerimin e këtij Spitali me standardet më të mira.

Mesazhi i saj ishte i qartë se, “janë marrë të gjitha masat për garantimin e shërbimit për pacientët me COVID-19”.

Situata me COVID-19 në Shqipëri

Komiteti i Ekspertëve më 2 mars hoqi kufizimin e orës policore në vendin tonë. Kufizimi i lëvizjes së lirë të njerëzve kishte dy vite në fuqi – që prej shfaqjes së COVID-19 në Shqipëri më 9 mars 2020 – dhe u vendos për të parandaluar përhapjen në masë dhe për të ulur rrezikun e infektimit.

Ndërsa, sa i përket situatës epidemiologjike në vend, rastet e reja kanë pësuar rënie dhe po ashtu edhe fatalitetet. Por ekspertët, pavarësisht kësaj, kanë bërë thirrje për vaksinimin që nga mosha 12 vjeç e lart.

Ndërkaq, masat e tjera, si mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura dhe pesë ditë karantim për të infektuarit me COVID-19 do të vijojnë të mbesin në fuqi.

Në fuqi është masa me 50% të kapacitetit të ambienteve, ku zhvillohen grumbullime apo festa.

Sa u përket udhëtarëve nga jashtë Shqipërisë që hyjnë në vendin tonë duhet të kenë me vete certifikatën e vaksinimit apo testin PCR.

Ekspertët, nga ana tjetër, kanë bërë me dije se të gjithë të shtruarit në spital janë persona të pavaksinuar, prandaj apeli për t’u vaksinuar vijon ende.

Që prej shfaqjes së COVID-19 në Shqipëri kanë humbur jetën 3 mijë e 489 dhe 273 mijë e 146 të infektuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore