Lajme

Rama: Anulimi i Sunny Hill-it në Prishtinë është shkaktuar nga “zvarritjet e Qeverisë”


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pasi festivali Sunny Hill nuk do të mbahet në Prishtinë.

Ai përmes një konference për media, të enjten, ka thënë se anulimi i këtij festivali në kryeqytetin e Kosovës është shkaktuar nga “zvarritjet e Qeverisë”.

“Arsyeja pse ky festival është i vendosur në Tiranë është kryekëput për shkak të zvarritjeve të Qeverisë, e cila pavarësisht se i gjithë procesi për dhënien e pronës është bërë në pajtim të plotë me ligjin institucionet qendrore kanë tentuar vazhdimisht të ndërhyjnë në kompetencat e Kuvendit Komunal dhe ne kompetencat e Kryetarit të Komunës”

Kjo, sipas tij po i shkakton vendit dëm në kulturë, turizëm dhe zhvillim ekonomik.

“Për fat të keq për çështje të tilla që fare nuk duhet të politizohen janë bërë përpjekje që për poena politik të tentohet që vendimin ta kthejnë në kuvend.. veprime të tilla për ne janë të pa pranueshme, dhe i kanë bërë dëm të madh artit e kulturës, imazhit të vendit rinisë e po ashtu edhe ekonomisë”.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Rama i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarr veprimet e nevojshme dhe të “konfirmojë ligjshmërinë e vendimit të Kuvendit të Komunës”.

“Qeveria e Kosovës ka qenë vazhdimisht në dijeni për pikat e kontratës e cila ka qenë e gatshme për nënshkrim dhe e cila siguron marrëveshjen më të mirë në mbrojte të interesit publik.Kontrata parasheh që nëse për tri vjet me radhë festivali nuk mbahet për çfardo arsye atëherë prona i rikthehet komunës së Prishtinës, hapësira e dhënë në shfrytëzim do të jetë park publik, ndërsa Komuna do të ketë dispozicion 60 ditë në vit për organizim të festivaleve të tjera. Në marrëveshje ka qenë rishikimi çdo tre vjet. Në 25 vjet, prapë rishikohet dhe mund t’i kthehet Komunës”, ka thënë Rama në konferencë për media të enjten.

Megjithatë, sipas Ramës, festivali Sunny Hill nga viti i ardhshëm do të rikthehet në shtëpinë e tij, në Prishtinë.

Ai ka përmendur edhe pronën 17 hektarëshe, e cila do t’i jepej në shfrytëzim për 99 vite festivalit, në Bërnicë të Poshtme.

“Nuk e kam pru unë 99-shin, e kam gjetur këtu sepse Qeveria e kaluar e ka vendos që kjo tokë t’i jepet në shfrytëzim për 99 vite. Pra kanë qenë vetëm tri pika, të cilat janë kërkuar të bëhen pjesë të ligjshme. Aspekti ka qenë publikimi i listës së pronave komunale, miratimi paraprak i listës së veçantë të pronave komunale dhe negocimi i ofertës me Sunny Hill”, është shprehur Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore