Mosekzekutimi i pagave për arsimtarët ka shprehur shqetësimin edhe tek Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës.
Bardh Bardhi, anëtar i kryesisë së kësaj sindikate në një bisedë për Albanian Post, konsideron vendimi i Qeverisë që punëtorët në administratë të paguhen, ndërsa stafi arsimor jo është i padrejtë.
Pagat për grevistët e Administratës Publike u ekzekutuan më 30 shtator, u shpreh ai.
“Paga e universiteteve ka dalur, paga e punëtorëve që punojnë në administrata ka dalur, derisa e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës nuk është dalur. Duket se Qeveria ka problem me SBASHK-un dhe pas kësaj qëndron një problem shumë i madh”, deklaroi Bardhi për AP.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, me anë të një statusi në llogarinë e saj në Facebook ka rikonfirmuar edhe një herë vendimin se paga për mësimdhënësit grevistë nuk do të ketë.
Qeveria e ka ndërmend të paguajë vetëm ata mësimdhënës që nuk iu bashkuan grevës.
Ajo më tej ka bërë të ditur se deri më tani janë realizuar vetëm pagat e të gjithë atyre të cilët nuk kanë participuar në grevën e organizuar nga ana e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit.
“Me kërkesë të ministrit të financave, Hekuran Murati, i kemi dërguar ato të dhëna që i kemi pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta”, ka shkruar Nagavci në rrjetin e saj social në Facebook.
Nagavci duke u bazuar në dy nene të Ligjit për Greva ka arsyetuar mos-pagesën e mësimdhënësve.
Sipas saj kompensim do të ketë vetëm për punën e bërë.
“Ligji duhet të respektohet në tërësi, ne kemi premtuar për këtë dhe premtimet tona i mbajmë. Kemi marrë mandatin për të hartuar politikat e për t’i realizuar ato dhe s’do të ndalemi. Kompensim do të ketë. Kompensim për punën e bërë”.
Ndryshe një ditë më parë Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se grevistët nuk duhet të paguhen për ditët në të cilat kanë qenë në grevë.
Sipas saj një gjë të tillë e parasheh Ligji për Grevën.
Qeveria po bazohet në dy nene të Ligjit për Greva për ta arsyetuar mos pagesën e mësimdhënësve.
I pari është neni 18 ku flitet për “efektet e grevës së ligjshme” dhe në pikën 1 të këtij ligji thuhet se “gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga Kontrata e Punës”, derisa është edhe neni 7, pika 1, ku është përmirësuar neni bazik 18 i ligjit, the ku togfjalëshit “Kontrata e Punës” i shtohet fjalia “duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”.
Juristët e kanë interpretuar në forma të ndryshme këtë ligj. Disa thonë se ka bazë ligjore për të ndaluar pagat e të tjerë deklarojnë se këto dy nene nuk thonë që të ndalet paga dhe mos pagesa është e kundërligjshme.
Në një pjesë të opinionit publik, ndalja e pagave është interpretuar si tendencë e qeverisë për të frikësuar të pakënaqurit dhe shuar revoltat eventuale nga kjo pakënaqësi.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Votimi me aplikacion – i munduri dhe i duhuri për diasporën shqiptare – sipas Celibashit
-
Presidentja sllovene pritet me ceremoni zyrtare nga Begaj
-
Nëntë të arrestuar në një komplot sabotazhi të mbështetur nga Rusia, thotë Tusk
-
Plagosja e trefishtë në Pejë – arrestohet një i dyshuar, dorasi në arrati