Lajme

Gjermania do ta arrestojë Netanyahun nëse ka urdhër nga GJNP


Gjermania nuk ka asnjë dyshim: Nëse Gjykata Ndërkombëtare Penale vendos një urdhër-arresti për Benjamin Netanyahun, kryeministrin izraelit, atëherë ai do të arrestohet menjëherë sa të shkelë në tokë gjermane.

E pohon zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.

“Sigurisht, ne i përmbahemi ligjit,” tha Hebestreit kur u pyet nëse Gjermania do të ndiqte një vendim të GJNP-së. “Gjermania është ‘thelbësisht’ një mbështetëse e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe kështu do të mbetet”.

Kur u pyet në lidhje me kërkesën e Qeverisë izraelite që qeveritë në “botën e civilizuar” tani të deklarojnë se nuk do të ekzekutojnë një urdhër arresti të mundshëm në asnjë rrethanë, zëdhënësi i qeverisë iu shmang pyetjes.

Kryeprokurori në Hagë, Karim Khan, kishte kërkuar më parë urdhër-arrest kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të tij të Mbrojtjes, Yoav Galant.

Ai i akuzon ata për nxitjen e qëllimshme të sulmeve ndaj popullatës civile në Rripin e Gazës dhe përdorimin e urisë si një armë lufte. Khan ka kërkuar gjithashtu urdhër-arrest kundër tre liderëve të Hamasit për sulmin terrorist ndaj Izraelit që shkaktoi luftën në Gaza.

Ndryshe nga SHBA-të, Rusia apo Izraeli, Gjermania është nënshkruese e GJNP-së dhe ka mbështetur gjithmonë organizata dhe gjykata të tilla ndërkombëtare.

Kjo është arsyeja pse në qarqet qeveritare konsiderohet shumë e vështirë të mos ekzekutohet një urdhër arresti i mundshëm ndaj Netanyahut nëse ai udhëton në Gjermani pas një vendimi të gjykatës penale në favor të kryeprokurorit.

Nga ana tjetër, arrestimi i një kreu të qeverisë izraelite për shkak të përgjegjësisë gjermane për Holokaustin konsiderohet jashtëzakonisht i ndjeshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore