Shqipëria

Presidentja sllovene pritet me ceremoni zyrtare nga Begaj


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka pritur me ceremoni zyrtare homologen sllovene Nataša Pirc Musar.

Ceremonia  pasohet nga një takim kokë më kokë dhe më pas me takimin e zgjeruar mes delegacioneve të dy shteteve.

Presidenti i Republikës Begaj dhe Presidentja sllovene Musar do të kenë gjithashtu një konferencë të përbashkët shtypi të parashikuar në orën 11:20.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Presidentja e Sllovenisë dhe delegacioni që e shoqëron pritet të vizitojnë disa pika tërheqëse turistike të vendit.

Nga ana tjetër, në orën 14:00 Kuvendi do të mbajë një seancë të posaçme në nder të presidentes sllovene, e cila do të mbajë edhe një fjalim.

Kujtojmë se më 13 korrik të vitit 2023, ishte Begaj që zhvilloi vizitë zyrtare në Slloveni.

Në deklaratën e tij, Presidenti Begaj e konsideroi Slloveninë një partnere të rëndësishme rajonale dhe evropiane, ndaj i shprehu mirënjohje të veçantë Musar për mbështetjen thelbësore dhe të vazhdueshme që ky vend i ka dhënë procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në veçanti, si edhe procesit të zgjerimit me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.

Kreu i Shtetit ndau mendimin se për shkak të zhvillimeve të fundme gjeopolitike, por falë edhe kontributit të Sllovenisë e Grupit të Vendeve Mike të Ballkanit Perëndimor, sot kemi një qasje të re të Bashkimit Evropian ndaj procesit të zgjerimit me vendet e rajonit.

“Procesi i integrimit nuk konsiderohet më thjesht si një çështje teknike, por edhe si një zgjedhje e vizion strategjik”, tha Presidenti Begaj.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ekonomik dhe nevojës së nxitjes më të madhe të tij.

Presidenti Begaj e falënderoi gjithashtu presidenten për kushtet e krijuara për një integrim më të mirë të diasporës shqiptare në Slloveni, falë kuadrit ligjor të miratuar dhe mundësive për të ruajtur identitetin kombëtar, gjuhën e kulturën amtare.

Bashkëpunimi i mëtejshëm në fushën e arsimit dhe kulturës, lufta në Ukrainë, apo mbështetja e dhënë nga Sllovenia për të kapërcyer pasojat e tërmetit të 2019, ishin gjithashtu në vëmendjen e dy presidentëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore