Kosova

Hacker: Nëse Kosova i plotëson kërkesat e aleatëve, mund të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës


Thomas Hacker

Thomas Hacker, deputeti gjerman nga radhët e liberalëve, konsideroi se pavarësisht që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës nuk pati gatishmëri që ta përfshijë Kosovën në agjendën e votimit të 17 majit, mbetet e hapur mundësia që Kosova së shpejti të bëhet anëtare e organizatës lidere për të drejtat e njeriut, nëse i plotëson kërkesat e aleatëve ndërkombëtarë.

“Ne ende jemi duke punuar që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Ne besojmë se Kosova i përket Këshillit të Evropës dhe duhet të anëtarësohet sa më shpejt. Shpresat janë të mira, por mund të duhen edhe dy javë – votimi është shtyrë, por Kosova së shpejti mund të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës”, theksoi deputeti gjerman i Partisë së Lirë Demokratike (FDP).

Kërkesa e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës nuk u mor parasysh nga Komiteti i Ministrave – organi vendimmarrës i organizatës – pavarësisht letërzotimit të autoriteteve kosovare para takimit, kryesisht për shkak se Gjermania, Franca dhe Italia, vendosën kusht që Kosova të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Hacker shtoi se kryeministri kosovar, Albin Kurti, duhet të bëjë më të mirën për të përmbushur detyrimet, posaçërisht rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa kritikoi edhe Serbinë për lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke e cilësuar shkelje serioze të marrëveshjes së fundit në dialogun për normalizimin e raporteve.

“Marrëveshja e Ohrit thotë se asnjëra palë nuk duhet të pengojë tjetrën që t’i bashkohet organizatave ndërkombëtare. Nga ana tjetër, ne e kemi parë edhe Kosovën jo gjithmonë të gatshme për të ulur tensionet në pjesën veriore. Për shembull, pati një periudhë të shkurtër njoftimi për çështjen e dinarit, dhe kjo mund të shmangej”, shtoi ndër të tjera deputeti gjerman.

Kosova u mbështet nga shumica e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta evropiane. Megjithatë, rruga e vendit devoji krejt në fund, duke bërë që anëtarësimi në këtë organizatë të rëndësishme evropiane të shtyhet për të paktën një vit, nëse jo më shumë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore