Lajme

Qeveria italiane nën akuza se ka përdorur ligjin për shpifjen për të heshtur intelektualët


Qeveria e Giorgia Melonit po përdor strategji të padive për shpifje për t’u mbyllur gojën intelektualëve.

Kështu ka pohuar një filozofe që është paditur nga kunati i kryeministres italiane.

Në të fundit të një serie padish që bazohen në ligjet relativisht të ashpra të Italisë për shpifjen, Donatella Di Cesare do të paraqitet në një gjykatë penale në kryeqytetin italian më 15 maj, pas një ankese nga ministri i bujqësisë, Francesco Lollobrigida, për komentet që ajo bëri duke krahasuar një nga fjalimet e tij me Mein Kampf të Hitlerit.

Lollobrigida, i cili është i martuar me motrën e Melonit dhe konsiderohet si një nga aleatët më të afërt të kryeministres, ndezi polemika në prill 2023 kur në një konferencë sindikatash ai i bëri thirrje vendit që “të mos i dorëzohej idesë së zëvendësimit etnik”.

Gjyqi sakaq përqendrohet në komentet e Di Cesare të bëra në të njëjtën ditë në emisionin DiMartedì, në të cilën ajo perceptonte se kishte konotacione supremaciste në termin “zëvendësim etnik”, duke thënë se mund të gjendej në faqet e Mein Kampf dhe në ideologjinë nacionalsocialiste.

Filozofja, e cila ka shkruar libra mbi vazhdimësinë midis të menduarit nazist dhe teorive moderne të konspiracionit, ka thënë se Lollobrigida fliste si një udhëheqës rajonal i partisë së Hitlerit.

Në kallëzimin e tij penal, Lollobrigida ka thënë se Di Cesare e kishte portretizuar atë si “një nazist që lavdëron kampet e përqendrimit dhe përkrah kampet e shfarosjes si një zgjidhje për çështjet e emigracionit”, gjë që ishte “jo vetëm shpifëse, por edhe e turpshme”.

“Nuk arrij ta kuptoj se si fjalët e mia mund të krahasohen nga distanca me Mein Kampf të Adolf Hitlerit”, ka shtuar ministri.

Vërejtjet e Di Cesare, sipas tij, kishin qëllim “vetëm për të shkatërruar një person dhe për të njollosur veten dhe bashkëpunëtorët e mi”.

Di Cesare ndërkohë k thënë se komentet e saj nuk synonin këtë, por shërbenin si kritikë politike.

“Unë thashë që Lollobrigida foli si një gauleiter, jo se ai ishte i tillë. Ajo që ne po shohim këtu janë procedura ligjore kundër një krahasimi historik”.

Ajo beson se procedurat ligjore ishin pjesë e një strategjie politike.

“Qëllimi i gjyqeve për shpifje si i imi nuk është thjesht të frikësojë, por të shtyjë intelektualët e majtë jashtë diskursit publik”, ka thënë ajo.

“Meloni ka qenë shumë e prirur t’i japë lëvizjes post-fashiste një fytyrë të re, më të pranueshme. Ata që tërheqin vëmendjen ndaj rrënjëve fashiste të lëvizjes po ndëshkohen”.

Shpifja në Itali mund të gjykohet në gjykatat civile ose penale.

Në këtë të fundit, krimi i shpifjes së rëndë mund të dënohet me gjashtë vjet burg, dënimi më i rëndë i këtij lloji në BE pas Sllovakisë, ku mund të çojë në dënime me shtatë vjet burg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore