Lajme

Qeveria e Kosovës e mohon se lajmi i rremë për Escobarin doli prej saj


Gabriel Escobar

Qeveria e Kosovës në një përgjigje për “Zërin e Amerikës” të enjten mohoi çfarëdo sugjerimi se lajmi i rremë rreth shkarkimit të Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, të ketë dalë prej saj, ashtu sikurse sugjeroi vetë diplomati amerikan, i cili gjithashtu u shpreh shumë i zhgënjyer me mjedisin mediatik në Kosovë.

Escobar, diplomati i karrierës që mbulon rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe rrjedhimisht, procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njoftoi se raportimet për “shkarkimin nga pozita” janë “dezinformata” të prodhuara nga “një i ashtuquajtur gazetar” dhe raportimet e rreme dolën pas kontakteve me qeverinë kosovare.

“Nuk kemi ndonjë kontakt me gazetarin në fjalë, me të cilin nuk ndajmë qëndrim sa i përket pretendimeve të tij në lidhje me emisarin Escobar”, thuhet në një përgjigje të qeverisë së Kosovës për “Zërin e Amerikës” të enjten, pas aludimeve të platformës “Frontliner” që drejtohet nga një gazetar i vetë-identifikuar, Vedat Xhymshiti, i cili plasoi dezinformata online.

Departamentit amerikan i Shtetit (DASH) deklaroi gjatë javës se Escobari nuk është shkarkuar nga pozita e emisarit, por do të lëvizë gjatë javëve në vijim në një detyrë tjetër në shërbimin diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), në kuadër të një rotacioni të planifikuar prej kohësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore