Lajme

Pupovci: Testi i maturës pa telefona, dënime deri në tremijë euro


Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Dukagjin Pupovci

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Dukagjin Pupovci përmes një konferencë për media ka bërë të ditur masat që do të ndërmerr ministria për parandalimin e keqpërdorimit në Provimin e Maturës Shtetërore.

Pupovci tha se këtë vit nuk lejohet as sjellja e telefonave celular në shkolla ku do të mbahen testet, ndërkaq bëri të ditur se kujtdo që i gjendet telefoni, do të përjashtohet nga testi.

“Është përgatitur plani i veprimit për organizimin e takimeve informuesit nëpër komuna, që do të jenë të angazhuar në cilësinë e administruesit. Për t’i minimizuar keqpërdorimet me të cilat për fat të keq jemi përballur vazhdimisht, këtë vit është e ndaluar sjellja e telefonave celular në shkollë. Kështu që të gjithë duhet të lënë celularin në shtëpi”, tha Pupovci.

“Dënimet për administruesit do të jenë si edhe herëve të tjera nga 500 deri në 3 mijë euro, por nëse shihet e nevojshme ata që i shkelin rregullat do të ndiqen edhe penalisht”.

Ai shtoi se, “Administruesve u janë dhënë udhëzime, të jenë shumë strikt në këtë aspekt, pra secilit nxënës që i gjendet celulari, pavarësisht nëse e ka shfrytëzuar apo jo, do të largohet nga provimi”, theksoi ai.

Procesi i testit të maturës do të monitorohet edhe nga organiztatat e shoqërisë civile.

“Ne do t’i trajtojmë të gjitha parregullsitë eventuale dhe do të iniciojmë procedurë ligjore ndaj të gjithë atyre që i shkelin rregullat. Me lejoni të ju rikujtoj që sipas ligjit, administruesit dhe mbikëqyrësit që nuk i respektojnë rregullat e administrimit të testit ndëshkohen me gjobë prej 300 deri 500 euro”, tha zëvendësministri i arsimit.

Po ashtu, dënime do të ketë për administruesit nëse ata zbulojnë sekretet e testit, në shumë deri në 3 mijë euro, nëse ka nevojë edhe duke u ndjekur penalisht.

“Nëse administruesi ose mbikëqyrësi zbulon sekretet e testit, atëherë ndëshkimi është prej një mijë deri në 3 mijë euro, si dhe pasojnë masat disiplinore deri të ndjekja penale nëse është e nevojshme një gjë e tillë”, njoftoi ai.

Ai deklaroi se do të monitorohen me kujdes të gjitha grupet e krijuara në rrjetet sociale, duke ndërmarrë hapa ndaj nxënësve që shpërndajnë testin, respektivisht edhe administruesve që lejojnë një gjë të tillë.

Afër 24 mijë maturantë të shtunën do t’i nënshtrohet provimit të maturës shtetërore. Tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e këtij testimi.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, Fatmir Elezi, shef i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore