Lajme

Kosovë: Të shtunën rreth 24 mijë maturantë i nënshtrohen provimit të Maturës Shtetërore


Ilustrim

Afër 24 mijë maturantë të shtunën do t’i nënshtrohen provimit të maturës shtetërore. Tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e këtij testimi.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, Fatmir Elezi, shef i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Sipas tij, për mbarëvajtjen e Provimit të Maturës Shtetërore do të kujdeset një numër i konsiderueshëm komisionerësh dhe për me tepër në një klasë nuk mund të jenë më shumë se 15 nxënës.

“Në qendër të testimit është një përfaqësues i MASHTI-t, dy nga drejtoritë komunale të arsimit dhe janë dy mbikëqyrës Në nivel vendi janë diku rreth 550 komisionarë, 550 mbikëqyrës. Përpos tyre është edhe një vëzhgues në çdo qendër i cili bënë vëzhgimin e mbarëvajtjes së testit”.

“Shumica e klasave i kanë nga 12 nxënës, maksimalisht janë 15 nxënës në një klasë, varësisht prej hapësirës që janë në shkolla”, sqaron ai.

Elezi bëri të ditur se maturantët do t’i kenë 100 pyetje nga lëndët gjuhë shqipe, gjuhë angleze, matematikë, dhe një lëndë të cilën e zgjedhin vet ata.

“Edhe këtë vit sikurse vitin e kaluar kemi vendosur që testi të organizohet vetëm në një ditë, do të thotë edhe lendet e përgjithshme edhe lënda me zgjedhje janë në të njëjtën ditë me gjithsej 100 pyetje”.

“Janë katër lëndë – tri lëndë të përgjithshme, gjuhë amtare, gjuhë angleze dhe matematikë dhe një lëndë që e zgjedh vet nxënësi. Të gjitha lëndët i kanë nga 25 pyetje”, shprehet Elezi.

Shefi i Divizionit për Vlerësim në MASHT thekson se e kanë parasysh që në test të mos përfshihen ato njësi që nuk janë mësuar nga nxënësit, për shkak të kufizimeve që i ka shkaktuar pandemia.

Për dallim nga testi i arritshmërisë që nuk ka pasur kriter kalimi, në provimin e maturës duhet të jenë të paktën 40 përgjigje të sakta në mënyrë që të kalohet testi.

“Kriteri i kalimit është i përcaktuar në ligj – 40 për qind të totalit të testit, do të thotë për të kaluar testin nxënësi duhet të ketë të sakta 40 pyetje nga 100 pyetjet”.

Me qëllim të parandalimit të çfarëdo keqpërdorimi, Elezi thotë se nxënësit nuk do të lejohen që në qendër të testimit të futen me telefona. Në raste se dikush zihet me telefon gjatë kohës së testimit, ai thotë se i njëjti do të përjashtohet nga testimi.

“Nxënësit nuk kanë nuk kanë të drejtë ta marrin telefonin me vete, nëse rastësisht administratori e vëren që një nxënës e ka telefonin në klasë edhe nëse nuk e përdor fare duhet ta largojë nga testi”

Për sa i përket kufizimeve që janë shkaktuar nga masat mbrojtëse ndajse ndaj pandemisë COVID-19, Elezi ka thënë se ato do të respektohen në secilën qendër testimi.

Ndërsa, lidhur me rezultatet që pritet të dalin nga testimi, ai thekson se nuk presin të ketë ndonjë ndryshim nga vitet paraprake, përkundër që mësimi është zhvilluar në kushte të pandemisë.

“Në testin e arritshmërisë e kemi vërejtur se nuk ka pasur dallime shumë të mëdha prej viteve paraprake, kështu që presim një rezultat të ngjashëm me vitet paraprake”, thotë ai.

Rezultatet e provimit të maturës shtetërore do të publikohen më 5 korrik nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore