Shqipëria

Publikohet certifikata personale e Metës pas nisjes së hetimeve nga SPAK


Partia e Lirisë, përmes ish-kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi ka publikuar certifikatën personale të ish-presidentit Ilir Meta.

Lajmi u bë i ditur nga Kryemadhi, duke cituar postimin e saj në median sociale “Facebook”.

“Partia e Lirisë ka vendosur ta ndihmojë SPAK-un. Që të mos i nxjerrë në punë me urdhër, që të firmosin shkresa të gatshme nga Endri Fuga, po ua mundësoj unë certifikatën personale të Ilir Metës, se si pamje e njihni edhe vetë”, shkruan fillimisht ajo.

Kryemadhi shtoi më tej në reagimin e saj se do vazhdojë të ndihmojë Prokurorinë e Posaçme edhe për inceneratorët.

Sipas burimeve të Albanian Post pranë SPAK-ut, kreu i institucionit, Arben Kraja, i ka dërguar një shkresë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ai ka kërkuar formularin e dekriminalizimit të kreut të Partisë së Lirisë.

Kjo, pas një padie të ngritur ndaj Metës në strukturën e posaçme.

Kallëzimi i bërë ndaj Metës, nuk bëhet me dije në bazë të shkresës së SPAK drejtuar KQZ-së, por është e lidhur me kërkesën e depozituar nga ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Halit Valteri, i cili më 7 qershor, akuzoi kreun e shtetit në atë kohë, së bashku me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, për korrupsion.

Sipas pretendimeve që formulohen aty, çifti Meta-Kryemadhi kanë fshehur të ardhurat, duke iu shmangur kështu detyrimeve tatimore.

Po ashtu, ka edhe akuza të formuluara për korrupsion pasiv dhe aktiv në sektorin privat, si dhe për shpërdorim detyre.

Ilir Meta në hetim nga SPAK

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore