Shqipëria

Ilir Meta në hetim nga SPAK


Prokuroria e Posaçme SPAK ka nisur një hetim kundrejt ish-presidentit shqiptar, Ilir Meta.

Sipas burimeve të Albanian Post pranë organit të drejtësisë, kreu i institucionit, Arben Kraja, i ka dërguar një shkresë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku ka kërkuar formularin e dekriminalizimit të kreut të Partisë së Lirisë.

Kjo, pas një padie të ngritur ndaj Metës në strukturën e posaçme.

Kallëzimi i bërë ndaj Metës, nuk bëhet me dije në bazë të shkresës së SPAK drejtuar KQZ-së, por është e lidhur me kërkesën e depozituar nga ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Halit Valteri, i cili më 7 qershori, akuzoi kreun e shtetit në atë kohë, së bashku me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, për korrupsion.

Sipas pretendimeve që formulohen aty, çifti Meta-Kryemadhi kanë fshehur të ardhurat, duke iu shmangur kështu detyrimeve tatimore.

Po ashtu, ka edhe akuza të formuluara për korrupsion pasiv dhe aktiv në sektorin privat, si dhe për shpërdorim detyre.

“Në bazë të fakteve të konstatuara, dokumente, sjellje, akte, të cilat do t’i përmend në vijim, ju paraqes këtë kallëzim penal, duke ju bërë prezent të gjitha shkeljet me natyrë penale, të cilat pretendoj se duhet të hetohen në mënyrë të thellë e të gjithanshme, pasi ngarkojnë me përgjegjësi të rëndë ligjore të natyrës penale personat që i kanë kryer dhe që unë i kallëzoj, të përfshirë në veprime të paligjshme, në kushtet kur kanë sjellë pasoja shumë rënda të interesit publik”, artikulon Valteri në shkresë.

Kështu, reagimi i SPAK ndaj këtij pretendimi vjen tre muaj më pas, duke vënë edhe Metën në lupën e drejtësisë, tashmë që ai është rikthyer aktiv në jetën politike të vendit, pa një post zyrtar mbi palët.

Akuza ndaj prokurorisë së posaçme nga ana e mazhorancës parlamentare, janë artikuluar muajt e fundit, duke ngritur shqetësimin se si ish-kreu i shtetit nuk po hetohet, pavarësisht se ndaj tij ka një kallëzim penal.

Përgjigja e SPAK-ut, edhe pse e vonuar, është tashmë e qartë, duke bërë me dije se një hetim ka filluar.

Ndërkaq, mbi Kryemadhin, ende nuk ka një njoftim sa i përket veprimeve të mundshme ndaj saj.

Një tjetër çështje që e implikon Metën, është edhe akuza se ai në të shkuarën ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist, i implikuar në një çështje.

Emri i tij u bë publik nga ana e Autoritetit të Dosjeve, por Meta hodhi poshtë çdo akuzë të tillë, duke thënë se është thjesht një përpjekje politike e Qeverisë për të rrëzuar atë politikisht.

Vetë Meta, ka deklaruar se në shtator do të përgatisë një padi në SPAK kundër Autoritetit të Dosjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore