Shqipëria

Halit Valteri kallëzon Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin në SPAK për korrupsion


Ish-deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, Halit Valteri, ka kallëzuar pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, dhe bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, e cila është kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Objekti i kësaj kërkese të Valterit është fillimi i procedimit penal dhe kryerja e hetimeve ndaj Metës e Kryemadhit, mbi bazën e disa veprave penale.

Të akuzuar, ndërkaq, janë edhe dy shtetas të tjerë.

I pari është Vangjel Tavo, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

I dyti, një shtetas i huaj, Iraklis Fidetzis, administrator i kompanisë “Dorelita Limitied” me seli në Qipro.

Albanian Post e ka kontaktuar Valterin, i cili ka pohuar lajmin dhe ka vënë në dispozicion të redaksisë edhe shkresën zyrtare të dërguar në SPAK.

Sipas pretendimeve që formulohen aty, çifti Meta-Kryemadhi dhe Tavo e Fidetzis kanë fshehur të ardhurat, duke iu shmangur kështu detyrimeve tatimore.

Po ashtu, ka edhe akuza të formuluara për korrupsion pasiv dhe aktiv në sektorin privat, si dhe për shpërdorim detyre.

“Në bazë të fakteve të konstatuara, dokumente, sjellje, akte, të cilat do t’i përmend në vijim, ju paraqes këtë kallëzim penal, duke ju bërë prezent të gjitha shkeljet me natyrë penale, të cilat pretendoj se duhet të hetohen në mënyrë të thellë e të gjithanshme, pasi ngarkojnë me përgjegjësi të rëndë ligjore të natyrës penale personat që i kanë kryer dhe që unë i kallëzoj, të përfshirë në veprime të paligjshme, në kushtet kur kanë sjellë pasoja shumë rënda të interesit publik”, artikulon Valteri në shkresë.

Nga ana e SPAK-ut, ndërkohë, ende nuk ka një reagim mbi çështjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore