Shqipëria

Policia parandalon një vrasje të dyfishtë


 

Është parandaluar nga shërbimet e policisë përshkallëzimi i mëtejshmëm i një konflikti, i cili mund të përfundonte në vrasje të dyfishtë.

Shtetasi T.M., në bulevardin “Migjeni” po tentonte të godiste me mjet shtetasin G. M. dhe bashkëshorten e tij.

Rastësisht në vendngjarje është ndodhur një punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, i cili ka ndërhyrë menjëherë. Falë ndërhyrjes së tij në kohë është bërë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit, i cili mund të përfundonte në vrasje të dyfishtë.

Më pas, në ndihmë të punonjësit të “Shqiponjave” kanë mbërritur edhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, të cilët kanë bërë të mundur prangosjen e shtetasit T. M.

 

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit T. M dhe G. M. fillimisht kishin debatuar për motive të dobëta në rrugën “Besim Alla” dhe pas disa minutash, tek bulevardi “Migjeni” ishin konfliktuar përsëri me grushte me njëri-tjetrin.

Pas konfliktit, shtetasi T. M. ka marrë mjetin e tij dhe ka tentuar dy herë të godiste me mjet shtetasin G. M. dhe bashkëshorten e tij.

Pasi nuk ia ka arritur qëllimit, ka dëmtuar më pas mjetin e shtetasit G. M.

 

Shtetasi T. M., 39 vjeç, pas arrestimit akuzohet për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Shkatërrim i pronës me dashje” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

 

Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi G. M., 36 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

 

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore