Shqipëria

Policia e Shtetit për Albanian Post: Ende nuk është bërë kapja e biznesmenit turk Özer


Të shtunën e 15 majit, mediat turke raportuan se, brenda 48 orësh, biznesmeni turk i kriptovalutës, Faruk Fatih Ozer, do të ekstradohej në Turqi nga Shqipëria.

Pas 48 orësh, Policia e Shtetit, nëpërmjet zëdhënësit të saj, Gentian Mullaj, konfirmoi për Albanian Post se ende nuk është bërë kapja e Ozer-it.

Sipas zëdhënësit, “burimet e mediave turke vijojnë me lajme të rreme, të cilat nuk gjejnë baza të faktuara dhe të provuara”.

“Sapo të bëhet kapja dhe të ndiqen procedurat paraprake që të çojnë deri tek ekstradimi, Policia e Shtetit do të dalë me një njoftim të sajin dhe me një deklaratë për shtyp”, deklaroi Mullaj.

Sipas lajmit të TRT Haber që mbështetej, sipas tyre, në burime të nivelit të lartë të sigurisë, operacioni Thodex ishte planifikuar të përmbyllej brenda pak ditësh.

Në media u njoftua se, transaksionet në lidhje me Ozer priteshin të përfundonin brenda pak ditësh. Ndërkohë, policia turke, e cila erdhi për të mbështetur operacionin në Shqipëri sipas mediave vendase, është kthyer në Turqi.

Në lajme citohej se: “Kur Faruk Fatih Özer të kapet, ai do të sillet i pari para autoriteteve gjyqësore shqiptare. Sidoqoftë, meqenëse nuk ka kryer një krim brenda kufijve të Shqipërisë, ai nuk do të gjykohet në këtë vend.

Meqenëse pasaporta e Özer-it, i cili kontrollohet me një njoftim të kuq, është e kufizuar, atij do t’i lëshohet një pasaportë e re. Pastaj do t’i dorëzohet Interpolit. Ai do të kthehet në Turqi brenda 48 orësh”.

Nga arratisja, deri te procedimi penal

Prokuroria e Tiranës hapi një procedim penal ndaj biznesmenit turk të kripto-valutës, Faruk Fatih Özer.

Nga komunikimet e vazhdueshme me Policinë e Shtetit, Albanian Post është përditësuar lidhur me kërkimet që vijojnë ende për gjetjen e tij.

Hapja e procedimit penal ishte hapi i radhës formal nga ana e institucioneve për kapjen e Özer, i cili është arratisur nga Turqia dhe mendohet të ketë hyrë në Shqipëri gjatë datës 20 prill.

Ndërkohë, ndërsa përpjekjet për kapjen e Faruk Fatih Özer vijojnë, janë zbardhur disa foto të tij. Në fotografi, Özer shihet duke hyrë në hotelin ku po qëndronte në Tiranë.

Themeluesi i kriptomonedhës turke u largua nga Turqia me 2 miliardë dollarë të marra nga investitorët.

Thodex ishte pjesë e bumit të kriptovalutave, që kishte tërhequr shumë turq që kërkonin të mbronin kursimet e tyre nga inflacioni i shfrenuar dhe një monedhë e paqëndrueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore