Lajme

Policia e Kosovës: Largohen barrikadat, hapen për qarkullim dy pikë kalimet kufitare – Jarinja dhe Bërnjaku


Ilustrim

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se në Veri të Kosovës janë larguar të gjitha barrikadat dhe si rrjedhojë janë liruar për qarkullim dy pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, të cilët ishin mbyllur nga 10 dhjetori kur serbët në shenjë revolte kishin bllokuar rrugët duke pamundësuar lirin e lëvizjes.

“Bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve, sulmet e kryera ndaj institucioneve të sigurisë, mediave dhe qytetarëve, kishin ndikuar në përkeqësimin e situatës dhe në vështirësimin e jetës së qytetarëve të asaj zone të cilët nuk kanë mundur të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk e kanë pasur qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme”.

“Edhe përkundër rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës ishte angazhuar në të gjitha format që t’u dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallim, si dhe të mbajë rendin e sigurinë publike”.

Zyrtarët policorë në Veri të vendit dhe në këto dy pikë kalime kufitare, ka bërë të ditur më tej Policia e Kosovës do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.

“Liria e lëvizjes së lirë, parandalimi i akteve kriminale dhe ofrimi i sigurisë janë në dobi të të gjithë qytetarëve dhe për këtë Policia e Kosovës në vazhdimësi do të angazhohet duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare”.

Vendimi për heqjen e barrikadave nga rrugët është marrë pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të serbëve të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të mbajtura në Rashkë.

Kushtet për heqjen e barrikadave u krijuan pasi Gjykata Themelore në Prishtinë dje, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e zëvendësoi masën nga paraburgimi në arrest shtëpiak për ish-policin serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç, për arsye shëndetësore dhe për mungesë kushtesh.

Largohen barrikadat në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore