Lajme

Largohen barrikadat në Veri


Pas 20 ditësh disa serbë të maskuar kanë filluar t’i largojnë barrikadat nga Veriu i Kosovës të cilat i kishin vendosur në shenjë pakënaqësie pasi policia e kishte arrestuar ish-policin Dejan Pantiç, i cili dyshohet për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Veri.

Pas Rudarës, edhe në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën Veriore ka filluar heqja e barrikadave të cilat ishin vendosur më 27 dhjetor.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se “kot u lodhën me barrikada, tash vetë po i heqin”.

“Barrikadat po hiqen. Të dielën e thamë që është çështje ditësh kur do të largohen ato. Edhe më mirë që kjo të bëhet pa ndërhyrjen e policisë sonë. Vet i vunë barrikadat, vet i hoqën ato. Me fjalë të tjera krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan vetën”, tha Kurti

Ndërkaq KFOR-i, ka mirëpritur vendimin për heqjen e barrikadave.

“Të gjitha palët duhet të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë përshkallëzim të mëtejshëm. KFOR-i po monitoron nga afër zhvillimet”, thuhet në reagim.

KFOR-i më tej ka theksuar gatishmërinë për të ndërhyrë nëse është e nevojshme, në përputhje me mandatin e tyre bazuar në Rezolutën 1244.

Paradite, Policia bëri të ditur se dy kamionë të përdorur në barrikadat serbe në veri të Kosovës, në zonën e njohur si “Shkëmbi i Dudës”, janë shkrumbuar gjatë natës.

Ngjarja e ndodhur në Mitrovicën veriore është shënuar në orët e vona të natës, teksa nuk ka ende një deklaratë mbi shkaqet apo autorësinë e gjithë zhvillimit.

Kamionët qenë vendosur në rrugën kryesore të kësaj zone më datë 27 dhjetor, si përpjekje për barrikadimin e mëtejshëm të segmenteve kaluese në veri të Kosovës.

Konfirmimi mbi ngjarjen ka ardhur edhe nga ana e zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët bënë me dije se kanë qenë dy kamionë të djegur, të cilët ishin vendosur në barrikadë.

Përtej dëmeve materiale, nuk është raportuar ndërkohë mbi lëndime në njerëz.

Teksa, rasti, po hetohet dhe ende nuk ka përgjigje përfundimtare për autorësinë e veprës.

Djegia e tyre ndërkohë, vjen pikërisht fill pak orë pasi presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se barrikadat e vendosura do të hiqen me fillim të enjten e 29 dhjetorit, pasi disa bisedimeve e konsultimeve të bëra nga palët me partnerët e Bashkimit Evropian.

Në tërësi, raportohet se ishin 16 barrikada në veri të Kosovës, ku për mbi 20 ditë ato bllokuan akse nyje të lidhjes mes dy shteteve dhe nuk u mundësua asnjëherë heqja e tyre nga Qeveria e Kosovës apo me ndërhyrje të drejtpërdrejtë të ndërkombëtarëve, ku KFOR-i nuk mori masa, teksa EULEX-i deklaroi se nuk ka kapacitete të tilla.

Lirimi i Dejan Pantiç dhe dërgimi i tij në arrest shtëpie si masë e zbutur nga ajo e paraburgimit, ishte edhe ngjarja e ditës, e cila e parapriu vendimin e Vuçiçit për të larguar barrikadat.

Nga Rashka, ku zhvilloi takim me përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës, ai tha se tashmë i kanë të gjitha garancitë që kanë kërkuar, derisa për cilësimin e barrikadave si mjet paqësor nga ndërkombëtarët tha se ka bërë “luftë gjithë natën”.

Ai ua sqaroi serbëve në Rashkë sa e rëndësishme ishte kjo fjali.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore