Lajme

Kurti: Kot u lodhën me barrikada, tash vetë po i heqin


“Barrikadat po hiqen. Të dielën e thamë që është çështje ditësh kur do të largohen ato. Edhe më mirë që kjo të bëhet pa ndërhyrjen e policisë sonë. Vet i vunë barrikadat, vet i hoqën ato. Me fjalë të tjera krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan vetën”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në pritjen e fundvitit me gazetarë.

Ai i ka falënderuar gazetarët që kanë raportuar nga Veriu i Kosovës.

“Në veçanti më lejoni t’i përshëndes gazetarët, kolegët tuaj, të cilët sot janë në veri të Ibrit duke raportuar prej andej”, shtoi ai.

Por, Kurti ka kritikuar opozitën, duke shtuar se “në këtë vit që po e lëmë pas për çështjen e drejtësisë opozita nuk na e ka dhënë ndonjë ide, kurse për atë të ekonomisë e kanë veç një ide, heqjen e TVSH-së, i falënderojmë”.

“Tash viti 2023 duhet të jetë vit i vetingut për drejtësi dhe i zhvillimit edhe më të madh në ekonomi. Puna jonë, informimi juaj, mirëqenia e qytetarëve”.

Ndryshe, pas 20 ditësh disa serbë të maskuar kanë filluar t’i largojnë barrikadat nga Veriu i Kosovës të cilat i kishin vendosur në shenjë pakënaqësie pasi Policia e kishte arrestuar ish-policin Dejan Pantiç, i cili dyshohet për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Veri.

Paradite, Policia bëri të ditur se dy kamionë të përdorur në barrikadat serbe në veri të Kosovës, në zonën e njohur si “Shkëmbi i Dudës”, janë shkrumbuar gjatë natës.

Ngjarja e ndodhur në Mitrovicën veriore është shënuar në orët e vona të natës, teksa nuk ka ende një deklaratë mbi shkaqet apo autorësinë e gjithë zhvillimit.

Nis largimi i barrikadave në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore