Lajme

Pezullimi i licensës për Klanin, Reporterët pa Kufij: Të mos kërcënohet pluralizmi mediatik në Kosovë


Ilustrim

Organizata ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij”, ka reaguar pasi që Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës ka njoftuar se është anuluar vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

Përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, kanë thënë se “siç kërkohet nga RSF dhe organizata të tjera, Ministria e Tregtisë së Kosovës anuloi më 21 qershor vendimin e saj për të pezulluar certifikatën e biznesit të KlanKosova”.

“Më i fortë se në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, pluralizmi mediatik në Kosovë duhet të mbrohet dhe të mos kërcënohet nga autoritetet”, kanë shkruar në Twitter.

Për këtë rast ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ku thanë se janë të alarmuar me vendimin e ri të ARBK-së kundër Klan Kosovës.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim të madh lajmin se më pak se 24 orë pas vendimit për anulimin e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova, ARBK-ja, sot ka marrë një vendim për ta anuluar atë vendim, dhe për ta mbajtur në fuqi vendimin fillestar të datës 14 qershor”, thuhet në reagimin e tyre.

“AGK-ja, rikthekson se vendimi i ri e dëshmon përpjekjen e Qeverisë së Vetëvendosjes të udhëhequr nga Kryeministri Kurti për të goditur mediat në Kosovë, dhe për të kufizuar lirinë e mediave e për t’iu dërguar mesazhe paralajmërimi edhe mediave të tjera në vend. Një veprim i tillë është i papranueshëm dhe joserioz, dhe do të dëmtojë më tutje ambientin medial në Kosovë”.

Po ashtu, aty potencohet se AGK-ja, “bën thirrje që të lejohet kohë dhe të mos ketë presione për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, në pritje të vendimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Mediave”.

Ndërsa, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se një vendim i tillë është “marrëzi”.

“Kjo është marrëzi. E tmerrshme. E frikshme”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës ka njoftuar se është anuluar vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

Sipas Klanit, në këtë vendim, theksohet se ushtruesja e detyrës së drejtoreshës Pranvera Prestreshi është zënë nën rrethana të konfliktit të interesit, meqë ka familjar një avokat që, sipas ARBK-së, punon për Klan Kosova.

Ky medium raporton se Prestreshi është shkarkuar nga pozita e u.d. drejtoreshës, kurse në vend të saj është emëruar Lebibe Haliti, që është motra e deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje!”, Enver Haliti.

Një ditë më parë, ARBK-ja ka lëshuar vendim zyrtar, me të cilin kishte njoftuar se përfaqësuesi i autorizuar i Shoqërisë Tregtare Klan Kosova Sh.P.K. ka dorëzuar kërkesën për plotësim dokumentacioni dhe se me këtë rast ARBK-ja ka bërë shfuqizimin e vendimit të saj për suspendimin e certifikatës së biznesit, raporton Klan Kosova.

“Vendimin e sotëm, ARBK-ja e ka përcjellur në Komisionin e Pavarur për Media (KPM) dhe në Klan Kosova”, thuhet në njoftim.

Po ashtu ky medium ka bërë shkresë zyrtare drejtuar KPM-së, në mënyrë që t’i njoftojë për korrigjimet e bëra dhe vendimin e ri të ARBK-së.

ARBK-ja ia pezullon licencën serish televizionit Klan Kosova

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore