Lajme

ARBK-ja ia pezullon licencën serish televizionit Klan Kosova


Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës ka njoftuar se është anuluar vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

Sipas Klanit, në këtë vendim, theksohet se ushtruesja e detyrës së drejtoreshës Pranvera Prestreshi është zënë nën rrethana të konfliktit të interesit, meqë ka familjar një avokat që, sipas ARBK-së, punon për Klan Kosova.

Ky medium raporton se Prestreshi është shkarkuar nga pozita e u.d. drejtoreshës, kurse në vend të saj është emëruar Lebibe Haliti, që është motra e deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje!”, Enver Haliti.

Një ditë më parë, ARBK-ja ka lëshuar vendim zyrtar, me të cilin kishte njoftuar se përfaqësuesi i autorizuar i Shoqërisë Tregtare Klan Kosova Sh.P.K. ka dorëzuar kërkesën për plotësim dokumentacioni dhe se me këtë rast ARBK-ja ka bërë shfuqizimin e vendimit të saj për suspendimin e certifikatës së biznesit, raporton Klan Kosova.

“Vendimin e sotëm, ARBK-ja e ka përcjellur në Komisionin e Pavarur për Media (KPM) dhe në Klan Kosova”, thuhet në njoftim.

Po ashtu ky medium ka bërë shkresë zyrtare drejtuar KPM-së, në mënyrë që t’i njoftojë për korrigjimet e bëra dhe vendimin e ri të ARBK-së.

Më 14 qershor, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes një komunikate për media kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare televizionit Klan Kosova.

“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Si rrjedhojë, MINT ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarr masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes”, thuhej në njoftim.

Sipas MINT, në bazë të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare ‘KLAN KOSOVA’ SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e licensës për televizionin “Klan Kosova” e ka quajtur “turp” dhe “akt arbitrar që e zhyt Kosovën në kampin e regjimeve autoritare”.

“Tërheqja e licencës për media është një akt jashtëzakonisht i rëndë. Sidomos kur flasim për transmetuesin kryesor privat të një vendi. Sot është një ditë e zezë për Kosovën: duke aktivizuar censurën shtetërore ndaj Klan Kosovës, qeveria e Kosovës po shkel standardet evropiane të lirisë së mediave”.

“Ky akt arbitrar e zhyt Kosovën në kampin e regjimeve autoritare që ia kthejnë shpinën Bashkimit Evropian dhe vlerave demokratike të mbrojtura nga Këshilli i Evropës. Më vjen keq për miqtë e mi kosovarë dhe shoqërinë civile. Turp për varrmihësit e lirisë së shtypit dhe pluralizmit mediatik”, shtoi Gutierrez.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore