Shqipëria

Përjashtimi i Berishës ndan ‘në mes’ PD-në


Vendimi i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD, ka shkaktuar “përçarje brenda PD-së”, ku disa deputetë kanë dalë kundër vendimit.

Tritan Shehu, Flamur Noka, Bujar Leskaj, Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi, dhe Luciano Boci, janë deri në këto momente deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit të cilët kanë kundërshtuar vendimin.

Sipas tyre me këtë vendim mund të zhbëhet një pjesë e rëndësishme e kësaj forcë politike.

Busulla ka qënë e Sali Berishës dhe e PD-së. Në lidhje me vendimin e përjashtimit është mohim i hisorisë së PD-së. Mohim i suksesit të kësaj force. Arsyet pse kryetari e di vetë. Është vendim individual”,  ka deklaruar Flamur Noka pas mbledhjes.

Ndërsa, Tritan Shehu ka akuzuar Bashën për “vrasjen e PD-së”.

Nga ana tjetër, anëtari i Kryesisë së PD-së, Gent Strazimiri, shkruan se nuk ka kompetencë Basha që të përjashtojë Berishën nga grupi parlamentar.

“Në 30 vjet ekzistencë të saj, asnjë kryetar i Partisë Demokratike nuk ka patur kompetencë të përjashtojë ASKËND, KURRË!!! Nuk ekziston një kompetencë e tillë!!! Kjo është e vërtetë, ashtu sikurse dielli do te lindë sërish nesër!!! Qendro në këmbë demokrat. Asnjë hap pas”, shkruan Strazimiri.

Basha përjashton Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka lënë jashtë grupit parlamentar të PD-së, Sali Berishën, themeluesin e kësaj partie dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë.

Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se “shpallja persona non-grata e Sali Berishës, ishte një nga momentet më të vështira për mua si kryetar, si demokrat, si bashkëpunëtor i Berishës”.

Më 19 maj 2021, ka qenë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili e ka cilësuar ish-kryeministrin dhe ish-presidentin shqiptar, Sali Berisha, si persona non-grata në SHBA. Gjithashtu, familja e Berishës është cilësuar si non grata nga Sekretari Blinken.

Sipas Bashës, ky moment ka qenë i vështirë, kjo “jo vetëm për faktin se çfarë përfaqëson Sali Berisha, por edhe unë jam dëshmitar, si bashkëpunëtor i tij, sa rëndësi ka pasur për atë mbrojtja e interesit publik”.

Më mirë të dorëhiqej se të dorëzonte sovranitetin e PD-së, vendim nul

“Lulzim Basha është vënë nën presionin e sanksioneve. Më mirë të dorëhiqej se sa të dorëzonte sovranitetin e Partisë Demokratike”.

Kjo ishte replika e menjëhershme e ish-kreut dhe lider historik të demokratëve, Sali Berisha, i cili e ka quajtur nul këtë vendim të Lulzim Bashës për të përjashtuar atë nga Grupi Parlamentar i demokratëve.

Sipas Berishës, një vendim të tillë nuk e merr një person që respekton parimet parlamentare të një force të lirë politike.

“Unë e kuptoj presionin që Basha ka pasur, por duhet të konsideronte dorëheqjen e tij sa të konsideronte dorëzimin e sovranitetit”, u shpreh ai.

Ish-kryeministri e tha qartë se ai nuk do ta pranojë kurrë këtë vendim. Vendim, i cili për të e asgjëson forcën politike parlamentare.

 

Lajmi në përditësim!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore