Shqipëria

Pajisja me dokumentacion për mjetet lundruese, domosdoshmëri për një sezon të sigurt


Ministri i Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, Taulant Balla, deklaroi këtë të diel të 26 majit se Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare po vijojnë kontrollet në det, liqene dhe lumenj.

Kjo ndaj mjeteve lundruese mbi sigurinë dhe certifikimin e tyre.

Balla nëpërmjet një postimi në median sociale shkruan se pajisja me dokumentacionin përkatës, respektimi i rregullave të lundrimit dhe mbi të gjitha respektimi i zonave të sigurisë së pushuesve, janë domosdoshmëri për të pasur një sezon veror sa më të sigurt.

“Përgëzime Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare Durrës, për nisjen e kontrolleve dhe bllokimin e mjeteve lundruese të parregullta”.

Më herët gjatë ditës, si rezultat i kontrolleve në Durrës, nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare, janë konstatuar dy mjete lundruese argëtimi Jet Ski.

Gjatë verifikimit të dokumentacionit ka rezultuar se asnjëri prej mjeteve lundruese nuk kishte dokumentacion dhe për këtë arsye Policia Kufitare ka bërë bllokimin e të dy mjeteve lundruese.

Gjithashtu ajo ka ndëshkuar me masën administrative 10 mijë lekë, secilin nga drejtuesit e tyre.

Policia Kufitare apelon pronarët dhe përdoruesit e mjeteve lundruese, që të zbatojnë me korrektesë, kërkesat ligjore për daljen në det, për pajisjen me dokumentacionin përkatës dhe respektimin e  zonave të sigurisë së pushuesve në plazhe.

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar sigurinë në plazhe dhe në këtë kuadër, do të intensifikojnë kontrollet dhe monitorimin nga toka dhe në det, të të gjithë vijës bregdetare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore