Lajme

Përfundon greva për të burgosurin palestinez, lirohet nga autoritetet izraelite


Autoritetet në Izrael kanë liruar një të burgosur të njohur palestinez, Kayed Fasfous.

Kjo dy javë pasi arritën një marrëveshje lirimi që i dha fund grevës së tij maratonë 131-ditore të urisë.

32 vjeçari kishte mbetur në një spital izraelit që nga përfundimi i grevës së tij më 23 nëntor.

Ai ishte figura simbolike e gjashtë grevistëve që protestonin kundër politikës së diskutueshme të “arrestit administrativ” të Izraelit, e cila lejon që të dyshuarit të mbahen në paraburgim për një kohë të pacaktuar pa akuza.

Qeveria izraelite ka thënë se, politika është e nevojshme për të mbajtur të mbyllur të dyshuarit e rrezikshëm pa zbuluar informacione të ndjeshme që mund të ekspozojnë “burime të vlefshme”.

Palestinezët dhe grupet e të drejtave thanë se, praktika mohon të drejtën e procesit të rregullt, duke e lejuar Izraelin të mbajë të burgosur për muaj apo edhe vite pa parë provat kundër tyre.

Ligji zbatohet rrallë për izraelitët.

Grupi i të burgosurve palestinezë, që përfaqëson të burgosurit e mëparshëm dhe aktualë, konfirmoi se Fasfous ishte kthyer në shtëpi në Bregun Perëndimor përmes një postblloku ushtarak pranë qytetit jugor të Hebronit.

Më vonë, pamjet në internet treguan ish-të burgosurin në një karrige me rrota duke festuar kthimin e tij në qytetin e tij jugor të lindjes, Dura.

Fasfous shërbeu pesë vjet në burgjet izraelite pa akuza ose gjyq.

Gjendja e rëndë e gjashtë grevistëve nxiti demonstratat e solidaritetit në të gjithë Bregun Perëndimor duke rritur presionin ndaj Izraelit për lirimin e të burgosurve.

Të paktën katër nga pesë grevistët e tjerë të urisë i kanë dhënë fund protestave të tyre pasi kanë arritur marrëveshje të ngjashme me autoritetet izraelite.

Ata pritet të lirohen në muajt në vijim.

Grevat e urisë kanë qenë të zakonshme në mesin e të burgosurve palestinezë dhe kanë ndihmuar në sigurimin e lëshimeve të shumta nga autoritetet izraelite.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore