Lajme

Përfaqësuesit e pakicave në Serbi takohen me Kurtin, kërkojnë reciprocitet të të drejtave


Albin Kurti, Shqip Kamberi, Enis Imamoviç, Selma Kuceviç dhe Sulejman Ugljanin

Shaip Kamberi, Enis Imamoviç, Selma Kuceviç dhe Sulejman Ugljanin, përfaqësues të pakicave etnike në Kuvendin e Serbisë, kanë qëndruar të shtunën për një vizitë në Kosovë ku janë takuar me kryeministrin Albin Kurti, njoftoi të shtunën Zyra e Kryeministrit.

Nga delegacioni i Partisë për Veprim Demokratik Sanxhak që kryesohej nga kryetari Sulejman Ugljanin, i shoqëruar nga kryetari, Shaip Kamberi, dhe dy deputetët tjerë në Kuvendin e Serbisë, Enis Imamoviç dhe Selma Kuceviç, kryeministri Kurti u njoftua për brengat dhe problemet me të cilat ata ballafaqohen.

Përfaqësuesit e shqiptarëve dhe boshnjakëve në Serbi kanë kërkuar që të ketë reciprocitet të të drejtave me serbët që jetojnë në Kosovë, të cilët sipas njoftimit për media, kanë shprehur pakënaqësi me statusin e tyre në përgjithësi e posaçërisht në  Novi Pazar, Tutin e Sjenicë në Sanxhak si dhe në Preshevën, Medvegjë e Bujanoc.

“Të drejtat e komuniteteve joshumicë në shtetet tona pasqyrojnë demokracinë dhe zhvillimin tonë si shoqëri. Për dallim nga Serbia që nga Freedom House klasifikohet si shtet me regjim hibrid, Republika e Kosovës është shtet demokratik me të drejta dhe liri për të gjithë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se komunitetet e ndryshme pa dallim duhet të trajtohen në kuadër të principeve universale e në harmoni të plotë me standardet e Bashkimit Evropian ndërsa në këtë takim është diskutuar edhe për elementet përbërëse të propozimit evropian për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në fund të njoftimit thuhet se nga takimi pjesëmarrësit dolën me qëndrimin e përbashkët se për “ paqe të qëndrueshme dhe siguri në Ballkanin Perëndimor duhet të ketë simetri të drejtash, dhe jo qasje privilegjuese ndaj një pakice apo komuniteti”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore