Shqipëria

Peleshi: Zjarret e qëllimshme, autorët para drejtësisë


Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka dhënë detaje për situatën nga zjarret në vend, ku sipas tij zjarret janë të qëllimshme.

“Sapo kam mbërritur në Voskopojë, këtu patëm një shpërthim zjarri. Një vatër që ishte e qëllimshme. Është shumë e rrezikshme si vatër. Ka disa rrethana pozitive sepse në një anë ka një përrua dhe në një anë një sipërfaqe disi më të zhveshur”.

Sipas Peleshit, është fatkeqësi nëse zjarri do të kapërcente në parkun e Voskopojës.

“Kemi pasur situatë të vështirë në Llogara. Mbi Dukat e kemi menaxhuar. Vazhdon beteja. Kemi 60 forca në lartësinë e malit të Karaburunit. Besoj se do jetë një natë e sigurt edhe kjo për parkun e Llogarasë. Jemi të shqetësuar për vatrën në Fier, në Kukës, mbi tunelin e Kalimashit. Ka edhe vatra të vogla pastaj”, u shpreh ministri.

Ai bëri me dije se nuk ka pasur cënim të turizmit për shkak të situatës.

“Kam dhënë mesazhe të vazhdueshme edhe për komunitetin për të na ndihmuar për të indentifikuar zjarrvënësit. Kam dhënë edhe informacione lidhur me sa e pamundur është që duke shkretuar një sipërfaqe pylli ta kthesh atë në truall ndërtimi. Nuk ka shans”.

Peleshi theksoi se ka shumë arrestime, ndërsa disa të tjerë janë nën hetim.

“Do të merremi shumë fort pas kësaj, për të shmangur këto ngjarje në të ardhmen”.

Vijojnë arrestimet për zjarrvënie të qëllimshme

Dhjetë persona janë proceduar nga organet policore në 48 orët e fundit, për zjarrvënie të qëllimshme.

E gjithë Shqipëria është kapluar nga flakët, teksa akuzat kryesore nga qytetarët janë ato për zjarrvënie të qëllimshme. Pikërisht mbi këto informata, Policia ka evidentuar 10 rastet dhe ka vepruar për kapjen e autorëve.

Pesë autorë janë arrestuar më 7 gusht dhe pesë të tjerë të dielën e 8 gushtit.

Katër, kanë qenë rastet e goditura në 24 orët e fundit.

Përkatësisht në Durrës, Belsh, Librazhd dhe Fier.

Në Durrës, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë arrestuar në flagrancë shtetasin A.B., 49 vjeç. Për shkak të zjarrvënies që ai ka kryer në lagjen 15 në Durrës, janë shkrumbuar 4 mijë hektarë me bimësi të egër kallamishte.

Rasti i Belshit, çoi në pranga shtetasin N.H., 26 vjeç, banues në fshatin Dragot. 450 rrënjë ullinj janë djegur për shkak se i riu i ka vënë zjarrin disa mbeturinave. Zjarri më pas ka dalë jashtë kontrollit.

Në Librazhd, hetimi ka çuar në arrestimin e shtetasit R.D., 52 vjeç, banues në Xhyrë. Ai dyshohet si autor i zjarrvënies në vendin e quajtur si “krepat e Xhakës”. Një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme është djegur prej tij.

Ndërsa, rasti i Fierit, përfshin arrestimin e dy vëllezërve. A.M., 49 vjeç dhe Z.M., 41 vjeç, banues në Afrim i ri, në bashkëpunim i kanë vënë zjarrin një sipërfaqe me 4 hektarë pyje dhe pisha. Autorët dyshohet se i kanë vënë zjarrin edhe një pylli në Kreshpan, më datë 28 korrik.

Policia vijon ftesën ndaj qytetarëve për të denoncuar rastet e zjarrvënieve të qëllimshme. Dy mënyrat janë nëpërmjet telefonatës në numrin falas 112 ose Komisariatin Digjital.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore