Shqipëria

Pelegrinazhi në Malin e Tomorrit, pjesëmarrje nga mijëra besimtarë


Pelegrinazhi në Malin e Tomorrit të dielën e 22 gushtit ka shënuar pikën e tij kulminante.

Kjo ka qenë edhe dita, gjatë të cilës Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mbajti fjalën e tij në ceremoninë e kësaj feste të shenjtë.

Baba Mondi tha se “duhet të reflektojmë e të jemi më të paqtë në këto kohë të trazuar që po kalon mbarë bota”.

“Ballkani, Evropa, por edhe bota, ku po ndodhin luftra siç është Afganistani, duhet të na bëjë të gjithëve më të paqtë dhe më të ndërgjegjshëm e më optimistë”, tha ai, “duke reflektuar te vetja kudo që jemi”.

Gjatë pesë ditëve të pelegrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut kryhen ritet fetare, ku çdo pelegrin falet për shëndet, mirësi e paqe në familje.

Mijëra njerëz kanë ngjitur malin edhe mëngjesin e së dielës, duke krijuar kështu radhë kilometrike.

Për Albanian Post, ka qenë zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë Berat (DVP), e cila ka konfirmuar se të gjitha forcat e Policisë janë angazhuar në mbarëvajtjen e tij.

Ajo ka bërë me dije se 345 forca policie po punojnë me turne, ndërsa është kërkuar ndihmë nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Fier (FNSH), si dhe nga drejtoritë e Tiranës.

Nga data 20 deri më 25 gusht, besimtarët bektashinj kremtojnë pelegrinazhin në Malin e Tomorrit, në Berat.

Rruga për në Malin e Tomorrit
Çfarë është pelegrinazhi?

Për këtë festë të Shenjtë, mijëra pelegrinë, jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga rajoni, çdo vit ngjisin malin prej 2 mijë e 416 metrash lartësi, për të kryer ritualin fetar që e karakterizon këtë besim.

Për pesë ditë me radhë, besimtarët ndjekin ritualet e fesë së Abaz Aliut dhe dëgjojnë fjalimet e klerikëve të tyre mbi historinë e shenjtërimit të Baba Tomorrit dhe veprave të shenjtorëve bektashinj.

Besimtarët luten e ndezin qirinj në varrin e shenjtorit “Abaz Aliu”. Atje ata ngrenë çadra, ku bëjnë kurban bagëtinë e imët për të kërkuar më shumë shëndet, mirësi dhe paqe për familjet e tyre.

Drejt Malit të Tomorrit të çojnë tre rrugë, Berat-Poliçan-Pronovik-Novaj–Teqe, Poliçan –Bogovë-Teqe dhe Çorovodë-Gjerbës–Teqe e Kulmakut.

Të gjitha këto rrugë të monitoruara nga ana e strukturave të policisë.

Përkatësisht Pronovik-Novaj-Teqe janë akse problematike, që paraqesin vështirësi në kalim, sidomos për qarkullimin e automjeteve të vogla.

Pavarësisht vështirësive ka dhe nga ata besimtarë, të cilët preferojnë që një pjesë të rrugës ta ngjisin në këmbë.

Kryesisht rrugën nga Teqeja në Çukë deri në Teqenë e Abaz Aliut në Kulmak. Teqeja e Kulmakut lidhet me shërbimin që i bëhet tyrbes së Abaz Aliut, flamurtarit të Qerbelasë, së ndërtuar në fillim të shekullit XV.

Kjo e fundit u ringrit në vitin 1916 nga Dervish Iljazi. Tyrbja e Abaz Aliut është shpallur Monument Kulture.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore