Lajme

Pekini paralajmëron për “ndikim të rëndë” në marrëdhëniet SHBA-Kinë, ndërsa udhëheqësja e Tajvanit zbarkon në New York


“Marrëdhëniet e Tajvanit me Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë kurrë më të ngushta”, tha presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen pasi mbërriti në qytetin e New Yorkut të mërkurën, ndërsa Pekini paralajmëroi se vizita e saj mund të çonte në “konfrontim serioz” midis Kinës dhe SHBA-ve.

Ajo nga qyteti, ku po bën të parën nga dy ndalesat e planifikuara në Shtetet e Bashkuara tha se Tajvani u përball me “sfida të jashtëzakonshme”.

“Ne e dimë se jemi më të fortë kur qëndrojmë së bashku në solidaritet me demokracitë e tjera. Tajvani nuk mund të izolohet dhe ne nuk e marrim miqësinë si të mirëqenë”.

Vizita e Tsai vjen në një kohë të tensioneve të rritura midis SHBA-ve dhe Kinës dhe tashmë ka ngjallur dënime të ashpra nga Pekini – i cili pretendon Tajvanin demokratik si territorin e tij, pavarësisht se kurrë nuk e ka kontrolluar atë.

Tranziti i Tsai në SHBA mund të çojë në një konfrontim “serioz” në marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe të ketë një “ndikim të rëndë” në lidhjet e tyre, u tha gazetarëve në Washington të mërkurën i ngarkuari me punë i Kinës Xu Xueyuan.

“Ajo që ka bërë SHBA minon seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”, tha Xu, duke shtuar se SHBA duhet të mbajë “të gjitha pasojat”.

Udhëtimet e Tsai kanë qenë nën një vëzhgim të veçantë pas raportimeve se ajo do të takohet me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, Kevin McCarthy gjatë një prej ndalesave të saj jozyrtare në SHBA – një ngjarje e mundshme që Pekini është zotuar të “luftojë me vendosmëri” nëse do të vazhdojë.

Tajvani nuk e ka konfirmuar një takim të tillë dhe as nuk ka dhënë detaje të itinerarit të Tsai ndërsa ishte në SHBA.

Pekini nisi ushtrime të gjera ushtarake disaditore rreth ishullit gushtin e kaluar, pas një vizite nga kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi në Taipei.

Pelosi ishte zyrtarja më e lartë amerikane që vizitoi Tajvanin në 25 vjet, dhe udhëtimi ngjalli akuza nga Pekini se SHBA po ndryshonte natyrën e marrëdhënieve të saj me Tajvanin – një pretendim që zyrtarët amerikanë e kanë hedhur poshtë vazhdimisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore