Lajme

PDK me draft-rezolutë: Do të obligojmë Qeverinë të përfundojë shtesat për Policinë e Kosovës


Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Opozita ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ketë rritje të pagave për policët e po ashtu të ketë sigurime shëndetësore e për të cilat është thënë se Partia Demokratike e Kosovës, do të dalë me draft-rezolutë.

Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se do të propozojnë një draft-rezolutë që Kuvendi të marrë përsipër një agjendë që lidhet ekskluzivisht me Policinë e Kosovës.

Ai u shpreh se propozimin e kësaj draft-rezolute do ta bëjë në seancën e re të Kuvendit që do të mbahet ditën e enjte.

“Do të kërkojmë që Kuvendi të merr një agjendë specifike në raport me Policinë e Kosovës, që të përmbushen tri pika kryesore që lidhen me funksionalitetin, efikasitetin dhe ndjeshmërinë e PK-së”, deklaroi Tahiri.

Ndërsa, ka përmendur edhe tri pikat kryesore të kësaj draft-rezolute.

Policia e Kosovës gjatë protestave në Veri. Foto: Albanian Post.

Ai ka sqaruar se të njëjtat lidhen me pagesën e shtesave për zyrtarët policorë, sigurimet shëndetësore dhe Ligjin për pensionim të parakohshëm.

“Kjo draft-rezolutë do ta obligojë Qeverinë që brenda një periudhe të caktuar të përfundojë shtesat që nuk janë paguar tash e tetë muaj për Policinë e Kosovës.

“Pika e dytë do të jetë që nga 1 janari i 2024 të buxhetojë buxhetin për sigurime shëndetësore për Policinë e Kosovës dhe Ligjin për pensionim të parakohshëm të PK-së i cili duhet të hyjë në fuqi jo më pak se 30 ditë nga miratimi i kësaj rezolute”, ka deklaruar Tahiri i PDK-së.

Ndërsa, shefi i deputeteve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, deklaroi se siguria në vend pas ngjarjeve të fundit kërkon “reflektim më serioz”, sepse është duke u prekur funksionaliteti i shtetit.

“Të parët që do të preken janë Policët e Kosovës shohim të rëndësishme që tani të kalojmë nga fjalët në vepra. Në këtë funksion besojmë që do të kemi mbështetje nga të gjithë deputetët edhe ata të shumicë”, tha ai.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka konfirmuar se Kuvendi këtë javë do të mbajë dy seanca, ai theksoi se përveç të mërkurës e së enjtes, edhe të premten mund të vazhdohet me seancë.

Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhet prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore