Kosova

Pacolli flet për takimin e famshëm në jaht me Radojçiçin – “As s’e kam njohur, as s’ia kam ditur emrin”


Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka shpjeguar takimin në jaht me Kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç dhe nënkryetarin Millan Radojçiç.

Ndonëse për këtë takim është folur edhe më herët, ai u riaktualizua pas sanksioneve amerikane ndaj Millan Radojçiç për veprimtari kriminale dhe korrupsion brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Pacolli thotë se kurrë nuk e ka njohur, e madje as emrin nuk ia ka ditur Radojçiçit para se ta takonte atë në jahtin e tyre në Budvë të Malit të Zi, në vitin 2018.

“Unë kurrë s’e kam njohur se kush është Millan Radojçiç. As emrin s’ia kam dëgjuar. Unë kam shkuar në Budva dhe është parkuar jahti im në një vend afër, sepse ka qenë më i madh prej tyre”, ka thënë ai për Kallxo.

Behgjet Pacolli në shoqëri me Kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç dhe nënkryetarin Millan Radojçiç.

Pacolli thotë se i pranishëm ka qenë edhe ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

“Del Rakiçi aty edhe vjen te unë e më thotë ‘ah Begjet sa mirë që po të shoh’. I kam thënë prit se e kam një befasi për të dhe e kam thirr Bahtirin sepse janë shokë dhe takohen”, ka treguar Behgjet Pacolli.

Madje, thotë Pacolli, “Agimi m’u ka hidhëru se ka menduar që e kemi planifikuar m’u taku, dhe s’e kem ftuar”.

“Rakiçi më thotë, eja te jahti ynë për pije. Pa asnjë paragjykim unë jam futur atje. Të betohem dhe ta jap fjalën e nderit, e kam pi një pije. Nuk e kam ditur jahti i kujt është. Sa kemi qenë aty ka ardhur një person tjetër dhe është ul. Askush s’e ka prezantuar si Millan Radojçiç. Unë kam dal, i kam marrë fëmijët e mi dhe jam kam dal në qytet. Unë i kam njohur aty veç 3 njerëz dhe dy deputet”.

Ndërsa thotë se në takimin e famshëm të jahtit ka qëndruar për vetëm 10 mnuta.

“Unë kam qëndruar vetëm 10 minuta. Më kanë kërkuar asgjë. Më respektojnë mua atje. Më shumë më respektojnë malazezët, maqedonasit e serbët sa së në Kosovë”, ka thënë Pacolli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore