Lajme

Osmani takon sekretaren e KiE-së: Kosova e përkushtuar për demokraci, sundim të ligjit dhe të drejta të njeriut


Vjosa Osmani dhe Marija Pejçinoviç Buriç

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të mërkurë është takuar me Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviç Buriç.

Osmani përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës “është në funksion të një Republike më të fuqizuar dhe një Evrope më të bashkuar e më demokratike”.

“Sekretaren e Përgjithshme Marija Pejçinoviç Buriç, e kam informuar për përkushtimin tonë të çdoditshëm për demokraci, sundim të ligjit dhe të drejta të njeriut, si tri shtyllat themelore mbi të cilat qëndron Këshilli i Evropës”, shkroi ajo në Facebook.

Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, do t’i adresohet Parlamentit Evropian këtë të mërkurë.

“Presidentja Osmani do t’i adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo do të shprehë mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për përkrahjen që Parlamenti Evropian ka ofruar për Kosovën që nga vitet e 90-ta”, thuhet në njoftim për media nga zyra e Osmanit.

Sipas njoftimit, gjatë qëndrimit në Strasburg, ku po mbahet seanca e Parlamentit Evropian, Presidentja Osmani do të pritet fillimisht nga Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian.

“Përveç takimeve me përfaqësues të Parlamentit Evropian, gjatë qëndrimit në Strasburg, Osmani do të takojë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës”.

Aplikimi i Kosovës në KiE

Më 24 prilli zyrtarisht Komiteti Ministror i këtij organizmi ndërkombëtar në një mbledhje të jashtëzakonshme me më shumë se 2/3 e votave procedojë tutje aplikimin e Kosovës në Asamblesë Parlamentare.

Nga gjithsej 46 shtete sa votuan në Komitetin Ministror të Këshillit të Evropës për të marrë vendimin që t’ia përcjellin Asamblesë Parlamentare kërkesën për anëtarësim të Kosovës, 33 shtetet, duke përfshirë edhe shtetet e rajonit si Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia kanë votuar pro, derisa 12 të tjera kundër apo abstenim.

Sipas të dhënave që janë bërë publike, Hungaria, Rumania, Qiproja, Spanja, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Serbia votuan kundër, kurse Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Sllovakia, Moldavia dhe Ukraina abstenuan.

Rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit tani do të kalojë përmes Asamblesë Parlamentare të KiE.

Gjithsesi, deri atje ka shumë punë dhe mund të marrë shumë kohë.

Para se të vije momenti i votimit në KiE, caktohen ekspertë për të përgatitur raportin për Kosovën.

Më pas raporti shqyrtohet nga dy komitetet të tjera.

Dhe në fund votohet nga Asambleja Parlamentare.

Nëse Asambleja voton pozitivisht, atëherë Kosova bëhet shtet anëtar.

Më shumë sesa proces teknik i përgatitjes, anëtarësimi në KiE është çështje e vullnetit politik të shteteve anëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore