Lajme

Osmani takon ambasadorin francez, bisedojnë për dialogun Kosovë-Serbi


Vjosa Osmani dhe Oliver Guerot

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të premte është takuar me ambasadorin e Francës në Prishtinë, Oliver Guerot.

Siç njofton zyra e presidencës, Osmani dhe Guerot kanë biseduar për zhvillimet e fundit në vend dhe për dialogun Kosovë-Serbi, kjo pas takimit të së mërkurës në mes të kryenegociatorit kosovar, Besnik Bislimi, me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, në Bruksel.

“Presidentja Osmani nënvizoi nevojën e zbatimit të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Bëhet në dije se në këtë takim është folur edhe për “vazhdimin e bashkërendimit me partnerët rreth qëllimit të përbashkët për shtensionimin e situatës në Veri të vendit”, pas tensioneve të krijuara atje që nga 26 maji.

“Presidentja Osmani theksoi gatishmërinë për bashkëpunim të ngushte mes Kosovës dhe aleatëve të saj për ta arritur fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës”.

Ajo vlerësoi, potencohet në njoftim, “raportet me Francën dhe konfirmoi partneritetin dhe bashkëpunimin në të ardhmen, i cili i shërben ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend e rajon”.

Ndryshe, dialogu në nivel kryenegociatorësh, të mërkurën e 19 korrikut, pas më shumë se shtatë orësh takime të ndara mes të deleguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak me Besnik Bislimin e Petar Petkoviç-in, përfundoi pa ndonjë rezultat konkret, por me disa përmirësime.

Lajçak, të mërkurën në Bruksel, zhvilloi takime ndarazi, fillimisht më kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviç-in e më pastaj me kryenegociatorin e palës kosovare, Besnik Bislimin.

Takim trelateral nuk pati, meqë siç shpjegoi Bislimi në një prononcim për media, për mos-zhvillimin e një formati të tillë insistoi lehtësuesi i procesit.

“Ka qenë si duket qëndrim i Lajçak-ut që në këtë moment, takimi trepalësh jo domosdo do të kontribuonte në finalizimin e dokumenteve, sepse mendon që ka ende nevojë për koordinim shtesë para se kjo të ndodhë, madje edhe ka ide që plani i sekuencimit [të Marrëveshjes Bazë] kërkon takim të nivelit të lartë, sipas tij, dhe qartazi kryenegociatorët nuk mund ta përfundojnë këtë proces në mënyrë të suksesshme”, potencoi ai.

Bislimi, ishte i vetmi i cili u deklarua për media. Ai u largua nga Brukseli i habitur e i brengosur për disa pika, por shprehu edhe optimizmin se pati përmirësime në disa fusha.

Kryenegociatori i palës kosovare tha se me Lajçak diskutoi për katër tema: plani i sekuencimit të Marrëveshjes Bazë, termat e referencës për zbatimin e Deklaratës për personat e pagjetur, termat e referencës për monitorimin e Marrëveshjes Bazë dhe për marrëveshjen për energjinë.

Zëvendëskryeministri i brengosur u shpreh për temën sekunecimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, meqë sipas tij draftet e deritanishme që ndërmjetësuesi Lajçak u ka dërguar palëve për planin e sekuencimit janë selektiv dhe u kushtojnë më shumë vëmendje kërkesave të Serbisë dhe nuk garantojnë zbatim të plotë të Marrëveshjes.

“Ne kemi tentuar që në një takim trilateral me palën serbe të vendosim të gjitha obligimet që palët marrin nga marrëveshja bazike në një plan të detajuar të sekuencimit, nuk kemi arritur ta përfundojmë këtë mision, por kemi përmirësim”, ka thënë ai.

I habitur u shpreh për çështjen e masave ndëshkuese të vendosura Kosovës nga BE-ja, pasi sipas tij, Kosova i ka plotësuar kërkesat e Unionit për shtensionimin e situatës në Veri, ndërsa kjo e fundit nuk po bënë asnjë hapë për të larguar masat.

Qeveria e Kosovës uli për 25 për qind prezencën e Policisë së Kosovës në dhe pranë ndërtesave komunale në Veri si hap i parë për të de-përshkallëzuar situatën në këtë pjesë të vendit, megjithatë një gjë e tillë nuk ishte e mjaftueshëm për BE-në, meqë sipas tyre heqja e masave ndëshkuese që Unioni i ka vendosur Kosovës do të varet nga zbatimi i obligimeve që ka marrë Kosova dhe hapat e tjerë që priten nga autoritetet në Kosovë për vazhdimin e përpjekjeve për të ulur tensionet në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore