Lajme

Bislimi: I kemi plotësuar kërkesat e BE-së, s’po na i heqin masat – e habitshme


Besnik Bislimi

Qeveria e Kosovës uli për 25 për qind prezencën e Policisë së Kosovës në dhe pranë ndërtesave komunale në Veri si hap i parë për të de-përshkallëzuar situatën në këtë pjesë të vendit, megjithatë një gjë e tillë nuk ishte e mjaftueshëm për Bashkimin Evropian, meqë sipas tyre heqja e masave ndëshkuese që Unioni i ka vendosur Kosovës do të varet nga zbatimi i obligimeve që ka marrë Kosova dhe hapat e tjerë që priten nga autoritetet në Kosovë për vazhdimin e përpjekjeve për të ulur tensionet në Veri.

Për këtë çështje ka folur edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe njëherit kryenegociatori i palës kosovare në dialogun Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi, pas takimit që zhvilloi me të deleguarin e BE-së për dialogun, duke shprehur habinë se pse ende shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, s’po ndërmerr hapa për largimin e këtyre masave ndëshkuese.

“Në Bratisllavë kemi dakorduar një marrëveshje që quhet ‘Aranzhime mes Kosovës dhe BE-së për implementimin  e qëndrimit të 27 vende anëtare të BE-së’ të datës 3 qershor. Rrjedhimisht titulli i asaj marrëveshje tregon se dakordimi ka të bëjë me zbatimin e kërkesave të BE-së, dhe i përgjigjet këtyre kërkesave të BE-së”, ka potencuar ai.

“Për ne ka qenë e qartë se kjo është rruga për tërheqjen e masave të BE-së që janë vendosur ndaj Kosovës, dhe për ne është habi se edhe tetë ditë pas dakordimit ende nuk kemi një letër shpjeguese nga ana e Borrell që të kërkojë largimin e masave nga Komisioni Evropian”, ka shtuar ai

Bislimi ka pranuar se Kosova ende nuk ka zbatuar të gjitha kërkesat e BE-së për shtensionimin e situatës në Veri të Kosovës, por të paktën ka treguar gatishmëri për të bërë një gjë të tillë.

“Nuk mund të themi që i kemi zbatuar të gjitha masat, për arsye se një prej masave është mbajta e zgjedhjeve, por ne kemi treguar rrugën që të çon në normalizimin e situatës e mungesa e asaj rruge ka qenë preteksti i Bashkimit Evropian për vendosjen e masave ndëshkuese, tash gjetja e rrugës nënkupton edhe mekanizmin për heqjen e të njëjtave masa ndëshkuese”, ka shpjeguar ai.

Bislimi tregon se çfarë diskutoi me Lajçak-un: Plani për sekuencimin po favorizon Serbinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore