Lajme

Osmani për helmimin e qytetarëve në Deçan: Rasti të hetohet me urgjencë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në komunën e Deçanit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në komunën e Deçanit ku u helmuan mbi një mijë qytetarë nga uji i pijes, ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë dhe hetuesisë që ta trajtojnë këtë rast me urgjencë, duke theksuar se ky rast sipas saj duket i çuditshëm.

Osmani ka treguar se të helmuarit janë në gjendje stabile.

“Është një rast i çuditshëm sepse deri sot kryesisht fshatrat nga të cilat kanë ardhur qytetarët e helmuar kanë qenë të furnizuar nga një burim i vetëm i ujit. Pres nga institucionet e drejtësisë dhe ato të hetuesisë ta trajtojnë rastin me urgjencë jo vetëm për shkak që Komuna e Deçanit ka shpallur gjendje emergjente por edhe për shkak se është çështje e interesit publik”, është shprehur ajo.

Presidentja Osmani ka thënë se Qeveria ka marrë të gjitha masat që Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan të furnizohet me të gjitha barnat e nevojshme për të trajtuar pacientët të cilët janë shtrirë si pasojë e helmimeve shkaku i të cilave nuk dihet ende.

“Si institucione kemi ofruar gjithë mbështetjen tonë për komunën dhe në veçanti QKMF-në. Do të bashkëpunojmë si institucione qendrore me ato lokale deri sa të tejkalohet kjo situatë”, shtoi ajo.

Bashkë me presidenten Osmani në vizitë ishte edhe Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, e cila ka thënë se si Qeveri po ofrojnë të gjithë potencialin që të vijnë në ndihmë për të vërtetuar shkakun e helmimeve në komunën e Deçanit.

“Si Qeveri e Kosovës jemi të ndërgjegjshëm për situatën e cila sundon momentalisht në Deçan. Si qeveri Kemi filluar koordinimin edhe me kolegët për të gjetur sa më parë zgjidhje në këtë komunë. Jemi të interesuar të ndihmojmë në çdo aspekt për të gjetur burimin e këtij infektimi. Ajo që fillimisht është menduar që mund të jetë si pasojë e një mikrobi në ujë momentalisht nuk është konfirmuar. Më lejoni tu them që i gjithë potenciali dhe mundësitë tona janë në dispozicion të qytetarëve të Deçanit”, ka thënë Gërvalla.

Ndërsa, Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se deri më tani është arritur të kontrollohet situata.

“Deri më tani kemi arritur ta kontrollojmë këtë helmim, sot ka qenë një kujdes më i shtuar sepse edhe institucionet e nivelit qendror na kanë dalë në ndihmë. E mira e gjithë kësaj është se kjo situatë tejkalohet, dhe besoj që të gjithë akterët do të jenë në dispozicion që të tejkalohet sa ma shpejt si situatë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, pas shpalljes së gjendjes emergjente në Komunën e Deçanit, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se dy “vdekjet e dyshimta” në këtë komunë nuk kanë lidhje me helmimet e fundit të ndodhura në këtë rajon.

“Raportet e para që i kemi marrë të dielën kanë qenë shqetësues. Fat i madh që të gjithë pacientët që janë trajtuar në QKMF në Deçan pas marrjes së trajtimit janë kthyer mirë dhe pa probleme në shtëpitë e tyre me një numër shumë të vogël të referimit në Pejë dhe fatmirësisht pa asnjë rast fatal. I kemi marrë të gjitha masat në terren për të shikuar së pari për të gjetur etiologjinë (shkaktarin), dhe pastaj të shikojmë se çfarë mund të ndihmojmë dhe si mund të bëhemi bashkë”, ka thënë Vitia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore