Lajme

Ministri Vitia: Dy vdekjet e dyshimta s’kanë lidhje me helmim


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

Pas shpalljes së gjendjes emergjente në Komunën e Deçanit, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se dy “vdekjet e dyshimta” në këtë komunë nuk kanë lidhje me helmimet e fundit të ndodhura në këtë rajon.

Ministri Vitia, pas vizitës së tij në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, është deklaruar në një konferencë për media bashkë me Kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, Drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, dhe Drejtorin e QKMF-së në Deçan, Selmon Berisha.

“Raportet e para që i kemi marrë të dielën kanë qenë shqetësues. Fat i madh që të gjithë pacientët që janë trajtuar në QKMF në Deçan pas marrjes së trajtimit janë kthyer mirë dhe pa probleme në shtëpitë e tyre me një numër shumë të vogël të referimit në Pejë dhe fatmirësisht pa asnjë rast fatal. I kemi marrë të gjitha masat në terren për të shikuar së pari për të gjetur etiologjinë (shkaktarin), dhe pastaj të shikojmë se çfarë mund të ndihmojmë dhe si mund të bëhemi bashkë”, ka thënë Vitia.

Sa i përket mungesës së barnave, ministri Vitia ka thënë se është përpiluar një listë e barnave esenciale dhe pajisjeve tjera të nevojshme të cilën MSH-ja do ta trajtojë me prioritet.

“Sapo kemi biseduar me Drejtorin e QKMF-së dhe Drejtorin e Shëndetësisë së Deçanit, është përpiluar një listë që Ministria e Shëndetësisë do ta trajtojë me prioritet, jo vetëm për kërkesën për barnat e listës esenciale, por edhe për pajisje të tjera që kanë nevojë komuna”, tha Vitia.

Në anën tjetër, Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se kjo komunë është duke bashkëpunuar me të gjitha institucionet e vendit për të zbardhur rastin.

“Jemi në flugën e punëve me të gjitha institucionet e vendit për të bërë ekspertizën se nga ku ka ardhur ky helmim për t’i dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve të kësaj komune. Çdo pjesë është në proces të hetimeve. Është në interes të zbardhet çdo rast”, ka deklaruar kryetari Ramosaj.

Në anën tjetër, Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka thënë se asnjë pistë e hetimeve nuk tregon që helmimi ka ndodhur nga uji.

“Kjo nuk do të thotë që nuk mund të ketë infeksione hidrike, por do të dalim me analiza permanente, nga analizat e pacientëve. Pistat e hetimit që flasin për dyshime të infeksionit hidrik janë në hetim e sipër. Kualiteti i ujit po monitorohet”, ka thënë Ramadani.

Sipas Ramadanit, të gjitha infeksionet që kanë të bëjnë qoftë me rrugë hidrike, ushqim apo infeksione të tjera janë nën monitorim.

“Gjithashtu është në hulumtim edhe çështja e ujësjellësit dhe furnizimit me ujë të pijes i cili në vazhdimësi po monitorohet për cilësinë e ujit të pijes”, shtoi ai.

Komuna e Deçanit në Kosovë ka shpallur gjendje emergjente në gjithë territorin e Komunës së Deçanit, pas qindra rasteve të qytetarëve që janë helmuar nga uji i pijshëm.

Në vendimin që e ka marrë kjo komunë thuhet se “obligohen të gjitha institucionet e nivelit lokal për ngritjen e gatishmërisë për menaxhimin e kësaj situate emergjente të ndodhur pas helmimit të fundit”.

Nezir Lushaj, kryeinfermier në Emergjencën e Deçanit në një prononcim për Albanian Post, ka thënë se numri i të helmuarve ka kaluar shifrën mbi një mijë.

“Për 24 orët e fundit, gjendja është rënduar edhe më shumë. Numri i të helmuarve ka kaluar shifrën mbi një mijë, rreth një mijë e 200”, ka thënë Lushaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore