Lajme

Osmani letër Zelensky: Do të jemi me ju derisa Ukraina të fitojë


Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka dërguar letër presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për nder të 31-vjetorit të pavarësisë.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Osmani përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter;’.

“Letra ime drejtuar Presidentit Zelensky dhe populli ukrainas në ditën e tyre kombëtare”.

Osmani edhe në këtë ditë ka shprehur mbështetje ndaj popullit ukrainas.

“Ne jemi me ju në shpirt, ne jemi me ju në veprim dhe do të jemi me ju derisa Ukraina të fitojë. Lavdi Ukrainës!”.

Ndryshe, në ditën e shënimit të përvjetorit të 31-të të pavarësisë, Zelensky ka thënë se planifikon të ndajë çmime për ukrainasit që kanë kontribuuar në forcimin e shtetit.

Në vend të paradës, pajisjet ushtarake ruse të shkatërruara janë vënë në rrugën kryesore të Kievit, si përkujtim për tentimet e dështuara të Moskës që të marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas në ditët e para të luftës.

Uashingtoni po ashtu ka paralajmëruar se Rusia mund të përdorë këtë përvjetor për të nisur sulme më të mëdha.

Gjashtë muaj kanë kaluar që prej agresionit të Rusisë në Ukrainë, me fillim në 24 shkurt 2022 dhe me pasoja shkatërruese jo vetëm për dy vendet, por për gjithë kontinentin evropian e më gjerë.

Askush nuk do ta kishte menduar në fillim vitin 2022 se Ukrainën, dita e saj e pavarësisë, më 24 gusht, do ta gjente pjesërisht të pushtuar dhe tërësisht të agresuar.

Por, sot, qytetarët e saj, me më shumë krenari se kurrë, e festojnë shpirtin e tyre të lirë dhe ndjenjën e përkatësisë në një tokë, dheu i të cilës është shkelur thuajse pabesisht.

Një paradë me tanket e ndryshkura ruse, të shkatërruara në këtë periudhë nga Forcat e Ukrainës, u bë edhe simbol e pritjes së ditës së pavarësisë. Është një fitore pa diskutim për Kievin, fakti që ka arritur të qëndrojë në këmbë dhe vullneti të mos i thyhet.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore