Kosova

Osmani kujton demonstratat e 81-së: Ndryshuan rrjedhën e historisë së Kosovës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981, duke thënë se guximi i studentëve i kishte dhënë formë kauzës për Kosovën.

Osmani, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ potencoi se të njëjtat ndryshuan rrjedhën e historisë.

“Këto demonstrata ndryshuan rrjedhën e historisë me kauzën e qartë për mbrojtje të dinjitetit, identitetit kombëtar dhe të drejtës për shtet. Pranvera 81` është një pikë kthese në historinë e Kosovës, një përpjekje e guximshme kundër shtypjes dhe një pohim i fuqishëm i të drejtës së popullit të Kosovës për liri dhe Republikë”, ka shkruar ajo.

Tutje e para e shtetit ka thënë se trashëgimia e demonstratave të 81-ës, është në funksion të kujtesës së fuqisë transformuese të studentëve për të bërë ndryshime rrënjësore.

“Guximi, qëndrueshmëria dhe rezistenca e studentëve të atij brezi mbajti në supe luftën për liri dhe sovranitet, duke çuar përfundimisht në realizimin e ëndrrës për Kosovën Republikë, të cilën çdo ditë e më tepër duhet ta ruajmë dhe ta fuqizojmë”, ka thënë Osmani.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se të njëjtat e nxorën parullën “Kosova Republike” e cila gjendej në mure e në rrugë.

Më 11 mars, Albanian Post kishte publikuar dokumentarin “Një Çerek shekulli”, dedikuar demonstratave të 11 marsit nga studentët e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore