Lajme

Osmani: Escobarit i thash, do jemi konstruktivë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me të dërguarit të Shteteve të Bashkuar të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova do të jetë palë konstruktive në dialog me Serbinë.

“Në takim me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, potencova se Kosova do të vazhdojë të jetë palë konstruktive, e barabartë dhe e përkushtuar në procesin e dialogut, duke kontribuar për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Sipas saj, institucionet e Kosovës janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtar dhe “çdo vendim i yni reflekton frymën kushtetuese të vendit tonë dhe vlerat tona demokratike”.

“Partneriteti ynë me SHBA-të vazhdon të jetë qenësor”, ka shtuar Osmani.

Albanian Post, ka arritur të nxjerr disa fjali nga ajo çfarë fliste Escobar me Osmanin, para se të dilnin kamerat jashtë e të shtrohej biseda.

Një nga fjalitë që dëgjohet më qartë është ajo kur Escobar i thotë Osmanit se “…më lejo të tregoj shkurtazi se çfarë po ndodhë në Uashington”.

Është e pamundur të kuptohet nëse me “çfarë po ndodhë në Uashington” ka të bëjë me arsyen e ardhjes së Escobar në Kosovë – ndërmjetësimin në mes të Kosovës e Serbisë në dialog dhe daljen nga situata e fundit, kur tensionet janë ngritur, meqë Kosova nga 1 shtatori është zotuar se do të zbatojë reciprocitet me Serbinë – për targat e makinave dhe lejet hyrëse/dalëse.

Para kësaj fjalie, Escobar dëgjohet, me ndërprerje, duke formuluar edhe disa fjali, që më shumë kanë të bëjnë me punën e tij të përditshme si përfaqësues i SHBA-ve në Ballkan.

“Nuk mendoj se konferencat janë për panele, e bëj për akte nën-ligjore, sepse pastaj i ke të gjithë aty, për disa të fundit kam vërejtur se ka qenë… e dini, i ftuan ata, “të dyshuarit e zakonshëm”, e dini, e kuptoni…”, i thotë Escobar presidentes.

Bashkë me Escobar, në Kosovë ka ardhur edhe ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në dialog, Miroslav Lajçak.

Pas takimit me presidenten, Esocbar ka ftuar në takim tre liderët opozitar – Memli Krasniqin (PDK), Lumir Abdixhikun (LDK) dhe Ramush Haradinajn (AAK).

Të tre kanë pranuar ftesat. Besohet se takim do të kenë gjithashtu edhe me Lajçak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore