Lajme

Opozita shqiptare në Maqedoni të Veriut zyrtarizon koalicionin, pjesë e tij edhe këshilltari i Kurtit


Liderët e opozitës shqiptare në Maqedoni të Veriut duke nënshkruar marrëveshjen e koalicionit

Opozita shqiptare në Maqedoni të Veriut këtë të shtunë kanë nënshkruar edhe zyrtarisht koalicionin për të garuar së bashku në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare në Maqedoni të Veriut.

Nënshkrimi i marrëveshjes në Shkup u bë nga kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, udhëheqësi i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, kreut të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, liderit të Alternativës, Afrim Gashi, dhe Bekim Qokut – përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit këshilltar i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Liderët e opozitës shqiptare në Maqedoni të Veriut

Në fjalën e tij, Taravari, tanimë kandidat i opozitës shqiptare për president të Maqedonisë së Veriut, tha se betejën politike do ta zhvillojnë kundër, siç e quajti ai, “sistemit të kalbur, i cili për 22 vite i mërgoi dhe i nënçmoi shqiptarët”.

“Nuk dua të përmendi as kundërshtarë politik, ne do ta bëjmë betejën politike me një sistem të kalbur 22 vjeçar e cila i mërgoi shqiptaret, i nënçmoi në çdo aspekt, i prishi dhe i shkatërroi të gjithë sistemin e vlerave që ekzistonin të shqiptaret, prandaj kundërshtari jonë është sistemi i kalbur, kurse ne jemi opozita e bashkuar”, deklaroi Taravari.

Ndërsa, përfaqësuesi i LVV-së, Qoku theksoi se “regjimi” i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – partia më e madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut – i ka ofruar vetëm dy opsione, siç pretendoi ai, “të ikim ose të rrimë dhe të heshtim”.

“Regjimi 22 vjeçar i udhëhequr nga BDI-ja, na ka ofruar vetëm dy opsionet e para, të ikim ose nëse vendosim të rrimë është mirë të heshtim, por ne nuk do heshtim sepse ne mendojmë se ia vlen të rrimë, ia vlen të luftojmë, ia vlen për t’i mbrojtur vatrat tona, dinjitetin tanë, ardhmërinë e fëmijëve tanë”, pohoi Qoku.

Nga ana tjetër, kreu i Alternativës potencoi se nga fitorja e opozitës shqiptare “është tmerruar” presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

“E tash kur prej fitores na ndajnë më pak se tre muaj, nga kjo fitore është tmerruar edhe Vuçiç, ky është një lajm i mirë se kështu po hapet një kapitull i ri i shpresës për mirëqenie, integrim, arsim cilësor dhe familje të shëndoshë, për shtet të konsoliduar ligjor”, tha Gashi.

E sipas liderit të Lëvizjes BESA, koalicioni opozitar, i emërtuar si Lëvizja Evropiane për Ndryshim (LEN), “do t’i japë fund shpërdorimit të parave të shqiptarëve”.

“Po vjen ndryshimi i cili shqiptarëve do të ua kthejë dinjitetin, po vjen ndryshimi i cili do të ndalojë që me paratë e shqiptarëve të blihen Soravia, do të ndaloj të pasurohet Eurovia, do të ndalojë investimet në aparate për kazino. Ky ndryshim vlen sepse ne do të ngremë nivelin e arsimit në vend, do të rrisim standardin e qytetarëve”, u shpreh Kasami.

Nga ana tjetër, Izet Mexhiti kërkojë që më 8 maj, populli të sjellë ndryshimin

“Më 8 maj do të lemë që populli të thotë fjalën e fundit dhe të vulosë ndryshimin e kamotshëm në mesin e shqiptarëve sepse ndryshimi është vetëm për demokraci. LEN po vjen dhe më besoni ia vlen”, deklaroi Mexhiti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore