Shqipëria

Operacioni i koduar ‘Shpirti’ – “Ky është një proces vetë-pastrimi”


Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, të premten e 2 korrikut ka reaguar pas finalizimit të operacionit ndërkombëtar “Shpirti” për goditjen e grupeve kriminale.

Falë këtij operacioni u bë e mundur kapja e 28 personave, ku mes tyre ishin një prokuror dhe një ish-oficer policie.

Duke marrë shkas nga kjo e fundit ai ë quajti këtë operacion si “një proces vetë-pastrimi, nga ata që nuk e meritojnë të jenë në radhët këtyre agjencive, e do të përgjigjen para ligjit”.

Këtë bashkëpunim me autoritet italiane Çuçi i cilësoi si partnerë dinjitozë në luftën kundër krimit të organizuar, që nuk njeh kufij. “Aksioni, shembull i ruajtjes së konfidencialitetit, megjithë kompleksitetin e tij”.

Gjithashtu Çuçi bëri me dije se janë sekuestruar nga Policia e Shtetit pasuri të dyshuara me burim nga aktivitetet kriminale.

Ai falënderoi të gjithë organet kompetente për finalizimin me sukses të këtij operacioni.

“Një vlerësim i posaçëm për prokurorët e angazhuar drejtpërdrejtë në hetim dhe gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, të agjencive që ndihmuan në këtë hetim, drejtuesve të operacionit, si dhe një falënderim për partnerët e huaj, për bashkëpunimin”.

Në përfundim të deklaratës së tij Ministri ritheksoi se “të tjera rezultate domethënëse do të ketë në luftën me paligjshmërinë”.

Kush u arrestua?

Operacioni i bashkërenduar ndërkombëtar mes SPAK-ut dhe Antimafias italiane, është kurorëzuar me arrestimin e prokurorit të Vlorës, Maksim Sota.

Në vijim të arrestimeve është bërë ndalimi i Ilirjan Ballës, shefi i sektorit kundër trafiqeve. Këto dy zyrtarë gjenden aktualisht në ‘arrest shtëpie’.

Gjithashtu është arrestuar Saimir Kurti, drejtor i zyrës së punës në Kavajës, si dhe Festim Lelaj, ish-oficer policie. Në vitin 2019, Maksim Sota kandidoi në garën për SPAK.

Autoritetet shqiptare kanë zbardhur operacionin ndërkombëtar në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë, në të cilën janë lëshuar 38 masa arresti.

Operacioni është ngritur kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave.

Pulia-Shqipëri

Dia Italiane ka sqaruar më herët se trafiku i drogës është zhvilluar në aksin Shqipëri-Pulia.

Faktet e diskutuara në hetimin e titulluar “Kulmi” nga DIA Italiane dhe policia shqiptare, datojnë në vitet 2017-2018.

Hetuesit dokumentuan se Pulia ishte baza kryesore logjistike e organizatave kriminale shqiptare për shitjen e drogës në të gjithë territorin italian.

Gjatë dy viteve të hetimeve, më shumë se tre tonë e gjysmë drogë me vlerë mbi 40 milionë euro u sekuestruan për një total prej rreth 7 milionë dozash.

Nga 16 të dënuarit, 4 janë autorë italianë. 12 janë trafikantë shqiptarë, për të cilët gjykatësi ka urdhëruar dëbimin e tyre.

Hetimi i një viti më parë çoi në 37 arrestime të kryera midis të dy vendeve dhe sekuestrime të pasurive me vlerë 4 milionë euro, përfshirë një fabrikë kafeje në Vlorë.

Hetimi gjithashtu kishte konstatuar bashkëpunimin e një karabinieri, Giuliano Pasquale, tashmë i dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg.

Akuzat që rëndojnë mbi të janë ndihma e trafikantëve të drogës për të prodhuar dokumente të rreme, duke i informuar gjithashtu për hetimet e vazhdueshme kundër tyre.

Nga proceset gjyqësore presin ende verdiktin e tyre 21 të pandehur të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore