Shqipëria

Finalizohet operacioni anti-mafia: 38 të arrestuar – dy zyrtarë të lartë shteti


Kryetari i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar (SPAK), Arben Kraja, në një video-komunikim të premten e 2 korrikut, ka vënë theksin te kapja e të gjithë atyre që kanë lidhje me botën e krimit. Duke përfshirë këtu edhe zyrtarë të lartë.

Së bashku me Krajën pjesë e konferencës ishin krerë të policisë dhe prokurorisë shqiptare, italiane dhe Europol-i.

Mëngjesin e të premtes falë operacionit ndërkombëtar “Shpirti”, u arrestuan 28 persona nga 38 urdhra-arreste. Përfshirë këtu një prokuror dhe një ish-oficer policie.

Ndërkohë dhjetë persona të tjerë të përfshirë në këtë grup kriminal janë arrestuar më herët.

“Është hetuar dhe vërtetuar i gjithë zinxhiri i trafikut të drogës. Ku është evidentuar dhe u provua përfshirja e zyrtarëve të ndryshëm publikë duke favorizuar këtë aktivitet”, bëri me dije Kraja.

Po ashtu Kraja shtoi se falë finalizimit të këtij opercioni “janë evidentuar dhe sekuestruar pasuri të luajtshme dhe paluajshtme. Si dhe aktivitete tregtare me vlerë miliona euro”.

Nga ana tjetër kreu i Prokurorisë Kombëtarë të Anti-Mafias dhe Anti-Terrorizmit në Itali, Federico Cafiero De Raho, deklaroi se ky operacion u shtri në katër shtete. Ku pjesë e saj ishte dhe Shqipëria.

De Raho për më tepër tha se bashkëpunimi midis Italisë dhe Shqipërisë do të vazhdojë.

“Dua të falënderoj Arben Krajën që drejtoi SPAK-un dhe e çoi para punën prej disa kohësh që kur mori këtë detyrë”.

Në përfundim prokurori italian tha se, “struktura hetimore italiane dhe policia shqiptare falë këtij investigimi kanë bërë të mundur kapjen e një grupi kriminal, që e kishte shtrirë aktivitetin e tij ndërkombëtarisht”.

Nga ana tjetër drejtuesi i Eurojust për Italinë, Filippo Spiezia, tha më tej se grupet mafioze shqiptare dhe italiane janë në nivelet më të larta të kriminalitetit botëror.

“Bashkëpunimi mes autoriteteve italiane dhe shqiptare ishte një model shumë i lartë. Kemi thyer barrierat territoriale midis Shqipërisë edhe Italisë”, e përmbylli Spiezia.

Kush u arrestua?

Operacioni i bashkërenduar ndërkombëtar mes SPAK-ut dhe Antimafias italiane, është kurorëzuar me arrestimin e prokurorit të Vlorës, Maksim Sota.

Në vijim të arrestimeve është bërë ndalimi i Ilirjan Ballës, shefi i sektorit kundër trafiqeve. Këto dy zyrtarë gjenden aktualisht në ‘arrest shtëpie’.

Gjithashtu është arrestuar Saimir Kurti, drejtor i zyrës së punës në Kavajës, si dhe Festim Lelaj, ish-oficer policie. Në vitin 2019, Maksim Sota kandidoi në garën për SPAK.

Autoritetet shqiptare kanë zbardhur operacionin ndërkombëtar në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë, në të cilën janë lëshuar 38 masa arresti.

Operacioni është ngritur kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave.

Pulia-Shqipëri

Dia Italiane ka sqaruar më herët se trafiku i drogës është zhvilluar në aksin Shqipëri-Pulia.

Faktet e diskutuara në hetimin e titulluar “Kulmi” nga DIA Italiane dhe policia shqiptare, datojnë në vitet 2017-2018.

Hetuesit dokumentuan se Pulia ishte baza kryesore logjistike e organizatave kriminale shqiptare për shitjen e drogës në të gjithë territorin italian.

Gjatë dy viteve të hetimeve, më shumë se tre tonë e gjysmë drogë me vlerë mbi 40 milionë euro u sekuestruan për një total prej rreth 7 milionë dozash.

Nga 16 të dënuarit, 4 janë autorë italianë. 12 janë trafikantë shqiptarë, për të cilët gjykatësi ka urdhëruar dëbimin e tyre.

Hetimi i një viti më parë çoi në 37 arrestime të kryera midis të dy vendeve dhe sekuestrime të pasurive me vlerë 4 milionë euro, përfshirë një fabrikë kafeje në Vlorë.

Hetimi gjithashtu kishte konstatuar bashkëpunimin e një karabinieri, Giuliano Pasquale, tashmë i dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg.

Akuzat që rëndojnë mbi të janë ndihma e trafikantëve të drogës për të prodhuar dokumente të rreme, duke i informuar gjithashtu për hetimet e vazhdueshme kundër tyre.

Nga proceset gjyqësore presin ende verdiktin e tyre 21 të pandehur të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore