Shqipëria

Besimtarët ortodoksët kremtojnë Pashkët


Besimtarët ortodoksë tejmbushën Kishat duke kremtuar ngjalljen e Krishtit, në meshën e Pashkëve, dita më e rëndësishme në kalendarin festiv të krishterë.

Kjo ngjarje simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit te Zoti për të gjithë besimtarët, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.

Fjala “Pashkë” shoqërohet me “fjalën e ndritshme që simbolizon dritën që del nga varri i Krishtit”.

Për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës, besimtarët marrin me anë të llambadarëve të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e përftojnë nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë.

Kjo e fundit, simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur.

Kur u referohemi traditave në lidhje me Pashkën, karakteristikë e saj është veza.

Ajo simbolizon jetën dhe ngjyrimi i tyre me të kuqe simbolizon sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.

Të krishterët e parë dhe bashkëkohës së apostujve filluan të ngjyrosin vezë dhe t’i dhurojnë për Pashkë, duke përshëndetur gëzueshëm “Krishti u Ngjall!”.

Përgjigjja e besimtarëve ortodoksë është: “Vërtet u Ngjall!”.

Besimtarët nuk nguruan të shprehnin urimet dhe ndjesitë e tyre në këtë ditë të shënuar.

Marrja e flakës nga tryeza e shenjtë, që u jepet besimtarëve, simbolizon flakën që del çdo vit nga varri i Krishtit në Jerusalem ditën e Pashkëve Ortodokse, flakë e cila merret dhe shpërndahet nëpër kisha të vendeve të ndryshme.

Urimet

Mesnata, që shënoi edhe ringjalljen e Krishtit, kulmoi në sheshin qendror të qytetit, ku të gjithë besimtarët ndriçuan qytetin me dritën e Zotit, me qirinj në duar.

Në Tiranë, mesha u kremtua në Katedralen Ngjallja e Krishtit, nën drejtimin e Kryepeshkopit Anastas Janullatos.

Janullatos lëshoi një mesazh për gjithë besimtarët dhe duke përmendur se shpreson që mesazhi i Krishtit ende kumbon në mes të errësirës dhe melankolisë të shkaktuara nga ngjarjet e dhimbshme Ukrainë, Gazë, Sudan, Haiti dhe në vende të tjera të botës.

Janullatos thotë se ky mesazh kumbon edhe për realitetin në vendin tonë, shpesh i munduar nga mërzitë, përçarjet dhe armiqësitë.

“Periudha e Pashkës, me një mënyrë të veçantë dhe përmes një përjetimi personal, na fton t’i afrohemi Krishtit, që pëson dhe ngjallet: “Që ta njoh atë dhe fuqinë e Ngjalljes së tij të marr pjesë në pësimet e tij dhe të bëhem i ngjashëm me të në vdekjen e tij” (Fil. 3:10)”.

Sipas tij, dy të vërteta na e ndriçojnë udhën drejt një marrëdhënieje më të ngushtë me atë që pësoi dhe u ngjall.

“Pranimi për të marrë pjesë në pësimet e Tij dhe të qenit i ngjashëm me të në vdekjen e Tij. E kemi theksuar edhe herë tjetër se Ngjallja nuk është diçka që vjen më vete, që vjen pas Kryqit, por gjendet brenda Kryqit, brenda pësimit, kur e pranojmë atë ashtu siç e pranoi edhe Krishti”.

Kryepeshkopi flet edhe për më shumë dashuri në vendin tonë, “të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme”.

“Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë”, theksoi ai në mesazhin e Pashkëve.

Edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka uruar besimtarët ortodoksë me rastin e Pashkës

Nikolla shprehet se rrugëtimi i Krishtit është më i larti shembull i përkushtimit.

“Në natën e acartë të dimrit, Jezusi lindi për të gjithë ne. Në botën e trazuar ku jetoi, u shërbeu me përdëllim të gjithëve. Nga vuajtjet e shkaktuara prej zemërimit, urrejtjes dhe lëndimeve, u kryqëzua për të gjithë ne. “Me vdekje vdekjen shkeli” dhe prej errësirës së thellë u ringjall për të gjithë ne”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore