Shqipëria

Basha kritikon sjelljen e Vuçiç në OKB: Simboli me tre gishta, sinjal i keq për stabilitetin e rajonit


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka kritikuar sjelljen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, gjatë votimit të rezolutës së Srebrenicës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke e përshkruar simbolin me tre gishta, të bërë nga Vuçiç pas mbledhjes, si një sinjal të keq për paqen dhe stabilitetin e rajonit.

“Shfaqja e presidentit Vuçiç me simbolin famëkeq të tre gishtave, të përdorur nga ata që shkaktuan krime e gjenocid në Ballkan, është një sinjal i keq për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë”, shkruan kryetari i PD.

Sipas Bashës, projektet e botës serbe të artikuluara nga Vuçiç dhe Milorad Dodik synojnë ndarjen e Republika Srpska, destabilizimin e Malit të Zi dhe Kosovës, skenar i cili nisi, por dështoi në veriun e Kosovës më 24 shtator 2023.

“Shqipëria duhet dhe do të luajë një rol më proaktiv në rajon dhe nuk do të ngurrojë në mbështetjen e saj ndaj Kosovës”, vijon Basha më tej.

Ndërkohë, kreu demokrat shprehet se me grupin e ekspertëve ka diskutuar finalizimin e programit politik për zgjedhjet e ardhshme.

“Ne do të kemi një plan të qartë veprimi, koordinimi dhe bashkëpunimi për të përmbushur detyrimet që rrjedhin në rrugën drejt integrimit”, përshkruan.

Më tej, thotë se në këto kohë sfiduese për sigurinë, vendi ka nevojë për një strategji të qartë për mbrojtjen, modernizimin e forcave të saj të armatosura dhe bashkërendim me partnerët tanë për arkitekturën tonë të sigurisë, e cila do t’i kontribuojë edhe shqiptarëve e jo vetëm në rajon.

Sfidat e sigurisë në rajon duhen adresuar me prioritet për liderin e djathtë, përballë kërcënimeve të vazhdueshme që vijnë nga Serbia.

“Atë që kam kërkuar për Kosovën, një financim vjetor në ndihma ushtarake, në vlerën e 50 milionë eurove do ta kemi pjesë të programit tonë”, shton drejt mbylljes

“Duhet t’i japim fund traditës së mbështetjes folklorike për Kosovën. Por të bashkërendojmë agjendat dhe faktorët politik shqiptarë në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe në Malin e Zi, për të garantuar paqen dhe stabilitetin e rajonit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore