Lajme

OBSH: Të shqetësuar për përhapjen e re dhe të vrullshme të COVID-19 në Evropë


Organizata Botërore e Shëndetësisë është “shumë e shqetësuar” për përhapjen e COVID-19 në Evropë, ndërsa kontinenti lufton një valë të re infeksionesh.

Në një intervistë për BBC, drejtori rajonal, Hans Kluge, ka paralajmëruar se rreth 500 mijë vdekje të tjera mund të regjistrohen deri në mars, nëse nuk ndërmerren veprime urgjente.

Paralajmërimi vjen pasi disa shtete kanë raportuar shkallë rekord të lartë të infeksionit dhe kanë vendosur bllokime të plota e të pjesshme.

Mes tjerash, Kluge ka thënë se faktorët si sezoni i dimrit, mbulimi i pamjaftueshëm i vaksinave dhe dominimi rajonal i variantit më të transmetueshëm “Delta”, janë komponentët kryesor të përhapjes.

Ai u ka bërë thirrje për rritjen e marrjes së vaksinave dhe zbatimin e masave bazë të shëndetit publik dhe trajtimeve të reja mjekësore për të ndihmuar në luftimin e rritjes.

Hans Kluge – Drejtor rajonal i OBSH-së.“COVID-19 është bërë edhe një herë shkaku numër një i vdekshmërisë në rajonin tonë”, tha ai për BBC, duke shtuar se “ne e dimë se çfarë duhet bërë” për të luftuar virusin.

Po ashtu, Kluge ka thënë se masat e detyrueshme të vaksinimit duhet të shihen si një “zgjidhje e fundit”, por se do të ishte “shumë në kohë” për të pasur një “debat ligjor dhe shoqëror” për këtë çështje.

“Para kësaj, ka mjete të tjera si leja për COVID. Ky nuk është një kufizim i lirisë, përkundrazi është një mjet për të ruajtur lirinë tonë individuale”, ka thënë ai.

Ndryshe, të premten e 19 nëntorit, Austria është bërë vendi i parë evropian që njoftoi se vaksinimi kundër COVID-19 do të bëhej një kërkesë ligjore. Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi në muajin shkurt, ndërsa detajet se si do të zbatohet masa janë ende duke u diskutuar.

Njoftimi, së bashku me atë të një bllokimi të ri kombëtar, u bë në përgjigje të numrit rekord të rasteve dhe niveleve të ulëta të vaksinimit.

Kancelari austriak, Alexander Schallenberg tha se ishte një vendim i vështirë për të marrë në një shoqëri të lirë, por se vaksinat ishin e vetmja zgjidhje.

Alexander Schallenberg – Kancelar i Austrisë.

“Është problem për të gjithë shoqërinë, sepse edhe ata që janë të vaksinuar, nuk kanë akses në reanimacion sepse janë të bllokuar nga ata që nuk janë vaksinuar dhe janë sëmurë, kështu që preken edhe ata“, ka thënë Schallenberg për BBC.

Ndërkaq, të shtunën e 20 nëntorit, dhjetëra mijëra njerëz protestuan kundër masave të reja në Vjenë.

Protestat në Vjenë, Austri.

Shumë vende të tjera evropiane po vendosin gjithashtu masa të reja me rritjen e rasteve.

Vendet, duke përfshirë Republikën Çeke dhe Sllovakinë, kanë njoftuar gjithashtu kufizime të reja për njerëzit e pavaksinuar pasi normat rekord të infeksionit janë regjistruar në të gjithë kontinentin.

Gjithashtu, trazira të dhunshme shpërthyen në Roterdam të Holandës për masat e reja COVID-19. Qindra protestues ishin mbledhur për të treguar zemërimin e tyre ndaj planeve të qeverisë për më shumë kufizime.

Në Gjermani, Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn e përshkroi situatën si një “urgjencë kombëtare” dhe refuzoi të përjashtonte një tjetër bllokim kombëtar.

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar regjistroi 44 mijë e 242 raste të reja të Coronavirusit të premten e 19 nëntorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore