Lajme

Një kompani franceze merr drejtimin e portit të Beirutit


Qeveria e Libanit i ka dhënë kompanisë franceze “CMA CGM” një kontratë për të menaxhuar, operuar dhe mirëmbajtur terminalin e kontejnerëve në portin e Beirutit.

Kjo për dekadën e ardhshme.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Ali Hamie, i cili konfirmoi marrëveshjen të enjten e 17 shkurtit.

Hamie nuk dha detaje në lidhje me kushtet e kontratës, por “CMA CGM” në një deklaratë tha se ata planifikonin të investonin 33 milionë dollarë për rinovimin e terminalit, duke përfshirë blerjen e pajisjeve të reja portuale dhe ndërtimin e një objekti të ri magazinimi.

“Ky projekt është një deklaratë e angazhimit tonë në rindërtimin e Bejrutit dhe përforcon pozicionin tonë si një lider global në industrinë e terminaleve”, tha në një postim në median sociale, Tanya Saadé Zeenny, drejtoresha Ekzekutive e “CMA CGM”.

Kjo kompani drejtohet nga familja miliardere francezo-libaneze Saadé. Vitin e kaluar, ajo bleu terminalin e kontejnerëve të portit të Tripolit në Libanin Verior.

Shpërthimi i 4 gushtit 2020 në portin e Bejrutit shkatërroi pjesë të mëdha të kryeqytetit libanez.

Asnjë zyrtar nuk është dënuar ende.

Shpërthimi gjithashtu përkeqësoi krizën ekonomike të Libanit, e cila ka zhytur më shumë se tre të katërtat e popullsisë së tij në varfëri.

Etapat e hetimit

Hetimi u pezullua më 27 shtator, pasi ish-ministri i Brendshëm, Nouhad Machnouk, njoftoi zyrtarisht hetuesin për ta përjashtuar atë nga çështja.

Sipas ligjit libanez, gjykatësi Tarek Bitar detyrohet që të ndalojë hetimin.

Ai tashmë kishte paraqitur kërkesa të reja në Ministrinë e Brendshme dhe Komunat për të thirrur shefin e Sigurisë së Përgjithshme Gjeneral, Abbas Ibrahim-in dhe shefin e Sigurisë së Shtetit, Gjeneral Major Tony Saliba.

Gjyqësori do të përcaktojë nëse Bitar do vazhdojë ta udhëheqë hetimin.

Machnouk, parlamentar në detyrë, si dhe ish-ministri i Punëve Publike, Youssef Finianos, kërkuan të hiqte Bitar-in nga hetimi i shpërthimit.

Ata e akuzuan gjyqtarin për paragjykime dhe sjellje të pahijshme.

Ngjarja

Më 4 gusht, në Portin e Bejrutit shpërtheu një zjarr, në një depo me lëndë plasëse.

Fill pas saj ndodhi një shpërthim shumë i fuqishëm, që tronditi tërë qytetin.

Shpërthimet shkaktuan një tërmet të shkallës 3,5 Rihter dhe shkatërruan ndërtesa që ndodheshin kilometra larg tij.

Rreth 6 mijë persona u plagosën dhe 300 mijë kanë mbetur të pastrehë.

Dhjetëra familje të viktimave të shpërthimit të portit të Bejrutit, më 25 nëntor, organizuan një protestë pranë Parlamentit, për shkak të vonesës së hetimeve mbi shkakun e shpërthimit.

Protestuesit mbanin fotografi të të afërmve të tyre që humbën jetën në shpërthim dhe parulla që dënonin vonesën e hetimeve.

Familjet pohuan se besojnë në gjyqësorin libanez për t’u dhënë drejtësi atyre me një vendim të drejtë dhe transparent.

Megjithatë, ata paralajmëruan se do të kërkojnë drejtësi në gjykatat ndërkombëtare nëse nuk trajtohen në mënyrë të duhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore